Google ADS

Austria u bën ofertë të kushtëzuar Bullgarisë dhe Rumanisë për Schengen

12:36 | 11 Dhjetor 2023
E.G

Austria – e cila ka qenë në krye të kundërshtimeve brenda Bashkimit Evropian, që Rumania dhe Bullgaria të pranohen në zonën për lëvizje të lirë, Schengen – ka thënë të hënën, se mund ta ndërrojë mendjen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë, në këmbim të forcimit të sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Në një takim të ministrave të brendshëm të bllokut evropian, një vit më parë, në të cilin të dyja vendet kanë shpresuar se do të pranohen në zonën më të madhe në botë për udhëtime pa pengesa, Austria ka thënë se imigrimi ilegal është ende shumë i lartë dhe që Rumania dhe Bullgaria duhet të bëjnë më shumë.

Partia konservatore austriake, Partia e Popullit, ka thënë me vite se luftimi i imigrimit të paligjshëm është çështje kyçe në fushatë.

Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, ka qasje të njëjtë.

Ajo, aktualisht, prin në sondazhet e opinionit publik.

“Po, mund t’i imagjinoj ndryshimet, për aq kohë sa preken vetëm aeroportet, lidhur me Rumaninë dhe Bullgarinë”, ka thënë ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner për Radion ORF, duke shtuar se pozicionin e vendit të tij e ka dërguar në Komisionin Evropian dhe topi tani është në gjykatë.

“Në anën tjetër, ka kushte të qarta për këtë gjë, kryesisht rritja e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, kontrollet kufitare të vazhdojnë të zbatohen, dhe që azilkërkuesit të transferohen në Bullgari dhe Rumani”, ka thënë ai, duke iu referuar njerëzve që kalojnë në Austri, përmes atyre dy vendeve.

Nëse plotësohen kushtet e tij, ai ka thënë se kontrollet e pasaportave mes Rumanisë, Bullgarisë dhe shteteve të Schengen-it mund të shmangen, por vetëm për udhëtimet me aeroplanë – zgjidhje, së cilës ai i është referuar si “Schengeni ajror”./rel/

Të ngjashme