Austria lehtëson politikën e maskave

07:06 | 30 Maj 2020
Arbresh.info

Njerëzit në Austri, nga mesi i qershorit, nuk do të detyrohen të vendosin maska në shkolla, dyqane dhe pika turistike, pasi numri i rasteve aktive me koronavirus në këtë vend ka rënë nën 650.

Austria ka qenë ndër vendet e para evropiane që e ka bërë të detyrueshëm mbulimin e fytyrës, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Kjo politikë, e ndërmarrë në fillim të prillit, do të lehtësohet nga 15 qershori, por nuk do të hiqet, tha të premten Qeveria austriake.

Maskat do të duhet ende të vishen nga pasagjerët e transportit publik, nga parukierët dhe kamerierët, si dhe në mjediset publike ku është e pamundur të mbahet distancë minimale një metër.

“Do t’i heqim maskat hap pas hapi”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz, në një konferencë për media në Vjenë. “Jemi në rrugën e duhur”, tha ai, duke shtuar se numri ditor i të infektuarve me koronavirus ka mbetur nën 50 gjatë ditëve të fundit.

Në javët e fundit, Austria ka rihapur dyqanet, restorantet dhe shkollat që ishin mbyllur për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Hotelet dhe studiot e fitnesit janë rihapur sot. Në total, Austria ka pasur mbi 16,000 raste të konfirmuara me koronavirus. Prej tyre, 668 kanë humbur jetën./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme