Australi, polici akuzohet për tentim vrasje, kapi për fyti një grua që nuk pranoi të vendos maskën në fytyrë

10:03 | 14 Gusht 2020
Arditë Shkodra

Disa policë të shtetit federal australian të Victorias janë nën hetime sepse dyshohet se e keqtrajtuan një grua që nuk e mbante maskën në fytyrë.

Pamjet e ngjarjes, të cilat u shfaqën në mediat sociale, tregojnë dy oficerë policie teksa i afroheshin një gruaje të re në një periferi të Collingwoodit.

Pas disa çastesh vërehet se si një polic e kap për fyti gruan dhe e shtyn drejt murit. Gruaja e re më pas bërtiti “Më mbyte!”, transmeton Telegrafi.

Atëherë i dashuri i vajzës, i cili ka filmuar gjithë ngjarjen, dëgjohet duke i thënë policisë se 21-vjeçarja është e liruar nga detyrimi për të mbajtur maskën për shkaqe mjekësore.

Por, gruaja e re më vonë pranoi se kur polici e pyeti se pse nuk e mbante maskën, ajo ishte përgjigjur vetëm duke i drejtuar gishtin e mesëm.

Ndryshe, në 24 orët e fundit, më shumë se 200 qytetarë janë gjobitur për shkelje të kufizimeve të shtetit. Nga këta, 33 persona u gjobitën për mos mbajtje të maskës.

Të ngjashme