Flakët deri në 25 metra lartësi, të cilat po lëvizin me shpejtësi, të shtyra edhe nga erërat e forta, u janë afruar edhe më shumë kryeqytetit grek, Athinë, të hënën, duke djegur pemë, shtëpi dhe automjete, e duke detyruar evakuime të spitaleve në të paktën 11 qyteza e fshatra.
Ndërsa zjarret janë të zakonshme gjatë verës në Greqi, moti jashtëzakonisht i nxehtë dhe i thatë si pasojë e ndryshimeve klimatike i ka bërë ato edhe më të shpeshta dhe intensive. Më shumë se 560 zjarrfikës të ndihmuar nga vullnetarë, 17 avionë dhe 15 helikopterë luftuan me flakët që shpërthyen pasditen e së dielës pranë Varnavas, 35 km në veri të kryeqytetit.
Të hënën, zjarri u përhap edhe më në jug, duke përfshirë një sërë frontesh përfshirë fshatin e Grammatiko, qytezën historike të Maratonës, zonën bregdetare të Nea Makri dhe Malin Penteli në veri të Athinës. Erërat e forta ndryshojnë vazhdimisht orientimin e flakëve.
“Fshati u rrethua nga flakët në mënyrë të papritur. Nuk ka logjikë për atë që po ndodh, ka shumë erë. Duket sikur janë krijuar fronte të shumëfishta të zjarrit. Fillonte në një pikë dhe pastaj, papritur, i gjithë fshati ishte i rrethuar”, tregon një banore.
Operacionet për shuarjen e flakëve u pezulluan gjatë natës dhe rinisën në orët e para të së hënës. Policia ndihmoi për evakuimet dhe disa banorë e kaluan natën në vendstrehime. Të paktën 3 spitale u evakuan në Penteli. Re të dendura tymi errësuan qiellin mbi Athinë mbrëmjen e së dielës. Disa orë më vonë flakët po digjeshin pranë periferisë rezidenciale të Dionysos rreth 23 km në verilindje të qendrës së qytetit dhe në zonat e afërta.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u kthye me nxitim në Athinë pas një shkëputje për pushime në ishullin e Kretës për të mbikqyrur reagimin ndaj zjarreve. Janë ende të freskëta kujtimet e tmerrit të përjetuar në verën e 2018, kur të paktën 104 vetë humbën jetën si pasojë e flakëve që përfshinë qytezën bregdetare të Mati, pranë kryeqytetit./A2CNN
Kurti vizitoi njërën nga depot me armatim të ushtrisë: Ngrit...
Hajrullahu: Transparenca dhe llogaridhënia janë dy shtyllat ...
Arsenali kërkon një transferim befasues në janar për yllin e...
Edi tregon se si humbi 50 mijë euro për ditëlindje
Ismaili pranon letër urimi nga guvernatori i Bankës së Angli...
Ambasadori italian takoi Tërnavën, diskutuan për tolerancë e...