Atentati, Drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan: Dështuam të mbronim Donald Trumpin

09:21 | 23 Korrik 2024
E.G

Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle ka deklaruar se agjencia dështoi në misionin e saj për të parandaluar atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump, por hodhi poshtë thirrjet për dorëheqjen e saj.

“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mbrojë liderët e kombit tonë. Më 13 korrik dështuam. Si drejtor i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo gabim të sigurisë” tha Cheatle gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë.

Cheatle tha se sulmi ndaj Trumpit, i cili u plagos lehtë në veshin e tij të djathtë ndërsa fliste në një takim elektoral ishte “dështimi më i madh operacional i Shërbimit Sekret në dekada”.

“Është e qartë se ka pasur një gabim dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë”, tha ajo.

Republikanët dhe demokratët i kërkuan Cheatle të jepte dorëheqjen pasi ajo shkaktoi zemërimin e ligjvënësve nga të dyja partitë. Cheatle refuzoi të japë detaje specifike rreth sulmit, duke përmendur ekzistencën e hetimeve të shumta aktive.

“Unë mund të flas me ju në përgjithësi”, tha ajo.

20-vjeçari i armatosur hapi zjarr ndaj Trumpit me një pushkë sulmi të stilit AR vetëm disa minuta pasi ish-presidenti republikan dhe kandidati aktual i Shtëpisë së Bardhë filloi të fliste në aktivitetin e fushatës në Butler, Pensilvani.

Personi i armatosur, i vendosur në çatinë e një ndërtese aty pranë, u qëllua për vdekje nga një snajper i Shërbimit Sekret më pak se 30 sekonda pasi qëlloi të parën nga tetë të shtënat.

Hetuesit kanë arritur në përfundimin se i riu, i cili jetonte në një qytet rreth 80 kilometra nga Butler, veproi i vetëm dhe ndaj tij nuk ishin në gjendje të identifikonin ndonjë prirje të fortë ideologjike ose politike.

Dy pjesëmarrës në tubim u plagosën rëndë dhe një zjarrfikës 50-vjeçar nga Pensilvania, Corey Comperatore, u qëllua për vdekje.

Në hapje të seancës kryetari i komitetit republikan James Comer tha se “kjo tragjedi ishte e parandalueshme” dhe se “është bindja ime e fortë, drejtor Cheatle, që ju duhet të jepni dorëheqjen”.

“Shërbimi Sekret ka një mision; që ta ketë dështimin zero, por ai dështoi më 13 korrik dhe në ditët para tubimit” tha Comer, duke shtuar se agjencia “është bërë fytyra e paaftësisë”.

Jamie Raskin, iu bashkua thirrjeve që Cheatle të jepte dorëheqjen.

“Mendoj se drejtoresha e ka humbur besimin e Kongresit në një moment shumë urgjent në historinë e vendit”, u shpreh Raskin.

Cheatle i hodhi poshtë thirrjet për dorëheqje.

“Mendoj se jam personi më i mirë për të udhëhequr Shërbimin Sekret në këtë kohë”, tha ajo.

Shërbimi Sekret u njoftua “dy deri në pesë herë” përpara të shtënave për një “individ të dyshimtë” në tubim, tha ajo, por ai nuk u klasifikua menjëherë si “kërcënim”.

“Kishte ekipe që u dërguan për të identifikuar dhe intervistuar atë individ”, tha ajo, por ata nuk ishin në gjendje ta lokalizonin atë përpara se ai të hapte zjarr.

Ish-mjeku i Trumpit tha gjatë fundjavës se kandidati republikan mori një plagë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në veshin e tij të djathtë që po fillon të shërohet.

Memorandumi nga ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Ronny Jackson, tani ligjvënës i krahut të djathtë nga Teksasi, dha detajet e para të lëndimit që pësoi Trump.

“Plumbi kaloi, duke ardhur më pak se 2 centimetra nga pjesa e kokës së tij dhe goditi pjesën e sipërme të veshit të djathtë”, tha Jackson, i cili ka qenë duke trajtuar ish-presidentin.

Cheatle shërbeu për 27 vite si agjente e Shërbimit Sekret përpara se të largohej në vitin 2021 për t’u bërë drejtuesja e sigurisë në Amerikën e Veriut për PepsiCo. Në vitin 2022 ajo u emërua në krye të agjencisë nga Presidenti i SHBA Joe Biden.

Të ngjashme