Kompania AstraZeneca e cila në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit prodhuan vaksinën me dy doza për të luftuar Covid-19, ka nxjerrë orët e fundit rezultatet pas vaksinimit të mëse 17 milionë njerëzve në Evropë.
AstraZeneca tha se ndër 17 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën me një ose dy doza, në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar, nuk ka asnjë provë se ajo shkakton mpiksjen e gjakut.
“Ne jemi duke bërë një monitorim të kujdesshëm të të gjitha të dhënave, për të pasur sigurinë e nevojshme për më shumë se 17 milionë individë të vaksinuar në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar me vaksinën AstraZeneca kundër Covid-19. Nuk ka asnjë provë të një rreziku në rritje të embolisë pulmonare, trombozës së venave të thella ose trombocitopenisë në ndonjë grupmoshë të caktuar, gjini, apo në ndonjë vend të caktuar”, – tha AstraZeneca Plc në një deklaratë.
Reagimi erdhi pasi shumë vende të Evropës janë duke pezulluar pa afat përdorimi e kësaj vaksine, nën dyshimet se shkakton mpiksje gjaku me pasojë trombozën.
Dyshimet vijnë pasi një numër personash të vaksinuar me AstraZeneca kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë nën mbikëqyrje mjekësore.
Edhe në Korenë e Jugut po raportohen disa vdekje pas vaksinimit me AstraZeneca. Ndërsa në SHBA, 100 milionë doza të kësaj vaksine rrinë stok pasi qeveria nuk është ende e sigurt për ta injektuar te popullata.
“Është për të ardhur keq që vendet kanë ndaluar vaksinimin me argument marrjen e masave parandaluese. Kjo që po ndodh rrezikon t’i bëjë dëm procesit të vaksinimit të njerëzve që ka si qëllim të ngadalësojë përhapjen e virusit dhe t’i japë fund pandemisë”, tha për Reuters, Peter English, një britanik në pension, Këshilltari qeveritar në kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, raporton noa.al.
Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka asnjë tregues që episodet e raportuara, vdekje dhe të sëmurë rëndë, janë shkaktuar nga vaksinimi.
Me të njëjtën pikëpamje doli më herët edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Prodhuesi i vaksinës tha nga ana tjetër se 15 raste të trombozës së venave të thella dhe 22 raste të embolisë pulmonare që janë raportuar deri më tani ndër 17 milionë të vaksinuar, është dukuri e ngjashme me vaksinat e tjera të licencuara për Covid, si Pfizer-BioNTech dhe Moderna.
Kompania tha se testime shtesë janë kryer dhe po kryhen nga kompania dhe autoritetet evropiane të shëndetit, por asnjë nga testimet e reja nuk ka çuar në motive për shqetësim. Raporti mujor i sigurisë do të bëhet publik në faqen e internetit të EMA në javën e ardhshme, tha të dielën, AstraZeneca.
Vaksina AstraZeneca, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është autorizuar për përdorim në Bashkimin Evropian dhe në shumë vende por jo akoma nga rregullatorët amerikanë.
Kompania po përgatitet të paraqesë autorizimin e përdorimit emergjent edhe në SH.B.A dhe po pret që të dhënat e testeve të kryera gjatë fazës së tretë në SHBA, të jenë të disponueshme javët e ardhshme.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...