Google ADS

Asetet publike të Greqisë në SHBA rrezikojnë të konfiskohen

21:49 | 13 Prill 2017
Trina Galanxhi

Asete të shtetit grek në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të konfiskohen për shkak të një detyrimi të pashlyer prej 40 milionë eurosh, i cili daton me lojrat olimpike Athinë 2004.

Sistemi i sigurisë për lojërat olimpike Athinë 2004, i njohur gjerësisht si C4i (Si for Aj), është shndërruar prej vitesh në gur skandali për politikën greke. I blerë me më shumë se 240 milionë euro, super sistemi, jo vetëm që nuk funksionoi kurrë gjatë olimpiadës, por as u muar plotësisht në dorëzim nga autoritetet greke.

Athina zyrtare e ka argumentuar refuzimin e saj me faktin kompania prodhuese, amerikania SAIC, kishte devijime të mëdha nga kontrata fillestare.

Por gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar e kishte detyruar shtetin grek në vitin 2013, që ta paguante shumën prej 40 milionë eurosh që i detyrohej kompanisë amerikane.

Tani, autoritetet gjyqësore në shtetet e Bashkuara e kanë ratifikuar këtë vendim të gjykatës së arbitrazhit.

Siç bën të ditur gazeta greke Kathimerini, pagesa 40 milionëshe duhet kryer menjëherë, përndryshe do të fillojnë  procedurat për konfiskimin e asteve publike të Greqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta greke citon burime qeveritare në Athinë të kenë konfirmuar këtë fakt.

Ndër asetet që disponon shteti grek, përfshihen godina e ambasadës së Greqisë në Uashington dhe konsulltat në shtetet e ndryshme të SHBA.

Organizatorët e lojrave olimpike Athinë 2004, u detyruan të shpenzojnë vetëm për sigurinë më shumë se 1 miliard euro, pasi kjo ishte olimpiada e parë që zhvillohej pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme