Numri i viktimave nga zjarri vdekjeprurës në Havai ka arritur në 80, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi atë.
Zjarri që përfshiu Lahainan në ishullin Maui u përhap me një shpejtësi të frikshme dhe shkatërroi qytetin turistik historik.
Numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkimit vazhdojnë të kërkojnë nëpër rrënojat e djegura të qytetit, pasi zjarri dogji 1000 ndërtesa dhe la mijëra vetë të pastrehë.
Zyrtarët thonë se është fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e shtetit.
“Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, 12 viktima të tjera janë konfirmuar sot mes zjarrit aktiv në Lahaina. Kjo e çon numrin e të vdekurve në 67,” thuhet në një deklaratë të qarkut Maui.
Guvernatori Josh Green ka paralajmëruar se numri ka të ngjarë të vazhdojë të rritet.
“Pa dyshim do të ketë më shumë viktima. Nuk e dimë se sa do të jetë numri përfundimtar,” tha zoti Green për televizionin CNN, para se numri të arrinte në 80.
Tre ditë pas katastrofës, mbetet e paqartë nëse banorët kishin marrë ndonjë paralajmërim përpara se zjarri të përfshinte shtëpitë e tyre.
Ishulli ka sirena alarmi për të paralajmëruar për fatkeqësi natyrore dhe kërcënime të tjera, por ato nuk duket të kenë rënë gjatë zjarrit.
Shefi i zjarrfikësve të qarkut të Mauit, Bradford Ventura tha në një konferencë për shtyp të enjten se shpejtësia e zjarrit e bëri “pothuajse të pamundur” për ekipet e ndërhyrjes së shpejtë që normalisht duhet të japin urdhra evakuimi në kohë reale.
Ai vuri gjithashtu në dukje se shërbimi celular u ndërpre.
Kryetari i bashkisë Richard Bissen tha për emisionin “Today” të televizionit NBC të premten se nuk e dinte nëse ranë sirenat, por tha se zjarri u përhap jashtëzakonisht shpejt.
Katastrofa filloi të shpalosej pak pas mesnatës të së martës kur u njoftua për një zjarr në qytetin Kula, afërsisht 56 km nga Lahaina. Rreth pesë orë më vonë atë mëngjes, energjia u ndërpre në Lahaina, sipas banorëve.
Në përditësimet e postuara në Facebook atë mëngjes, qarku Maui tha se zjarri në Kula kishte shkrumbuar qindra hektarë kullota, por një zjarr i vogël prej 1.2 hektarësh që u shfaq në Lahaina ishte vënë nën kontroll.
Por atë pasdite, situata u bërë më e rëndë, kur zjarri në Lahaina mori vrull.
Disa banorë filluan të evakuohen. Në orët në vijim, qarku postoi një seri urdhrash evakuimi në Facebook ndërsa zjarri u përhap në qytet.
Disa dëshmitarë thanë se nuk ishin paralajmëruar në kohë dhe përshkruan tmerrin e tyre kur flakët përpinë Lahaina brenda disa minutash.
Disa njerëz u detyruan të hidheshin në Oqeanin Paqësor për të shpëtuar.
Evakuimi i Lahainas u ndërlikua nga vendndodhja e saj mes bregdetit dhe kodrave, që do të thotë se në rastin më të mirë kishte vetëm dy rrugëdalje, tha Andrew Rumbach, një specialist për klimën dhe komunitetet në Institutin Urban në Uashington.
“Ky është një skenar tmerri, tha Rumbach, një ish-profesor i planifikimit urban në Universitetin e Havait. Një zjarr i shpejtë në një vend me popullsi të dendur me komunikim të vështirë, dhe jo shumë alternativa për sa u përket evakuimeve.”
Ishulli ka gjashtë streha në funksionim për të zhvendosurit dhe zyrtarët thanë se po hartojnë për strehim në hotele dhe objekte turistike.
Rreth 12,400 shtëpi dhe biznese ishin pa energji të premten, sipas qarkut të Mauit./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...