Arrin në 130 numri i të vdekurve në Gjermani

08:45 | 18 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Presidenti i Gjermanisë shpreh dhimbjen e thellë për humbjet në zonat e vërshimeve. Presidenti dhe kryeministri i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë vizituan zonat e dëmtuara nga katastrofa e vërshimeve.

“Ne ndajmë dhimbjen me ata, që kanë humbur pjesëtarë të familjes, miq e të njohur”, tha presidenti Frank-Walter Steinmeier gjatë vizitës në Erftstadt, në jugperëndim të Këlnit. Në qytetin me 50.000 banorë uji ka nisur të tërhiqet – por po zbulon gjithnjë e më shumë dëme që po duken tani në pirgun e rrënojave. Ushtria ndihmon me autoblinda për pastrimin e zonës nga rrënojat.

Bashkë me kryeministrin e landit të Renaninë Veriore Vestfalisë Armin Laschet presidenti takoi njerëz, që kanë humbur gjithçka, por që kanë mundur të shpëtojnë jetën. Ai falenderoi të gjithë ata, që „kanë dhënë ndihmë profesionale deri në raskapitje.

“Njerëzit kanë besim tek solidariteti”

“Shumë kanë humbur gjithçka, që kanë ndërtuar në jetën e tyre”, tha Steinmeier duke nënvizuar, se njerëzit kanë besim, që solidariteti do të vazhdojë edhe kur kjo temë nuk do të dominojë më në fokusin e kryeartikujve.

Kryeministri i landit Laschet u shpreh për një „katastrofë të shekullit” dhe siguroi, që landi i Renanisë Veriore – Vestfalisë do të bëjë „ç‘është e mundur”, për të organizuar ndihmat direkte për të prekurit. Do të paguhen para në mënyrë „jo burokratike”. Pas kësaj lipset mbështetje strukturore për rindërtimin.

Laschet shprehu mirënjohje, që si federata ashtu edhe landet e tjera kanë premtuar mbështetje.

Ndërkohë arrin në 130 numri i të vdekurve, përmasat e vërteta të katastrofës natyrore janë ende të papërcaktueshme. Në të gjithë landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë deri tani bëhet fjalë për 43 të vdekur. Në zonën e Ahrweilerit në jug të landit Rheinland-Palatinate numri i viktimave ka arritur në 90. Druhet se mund të gjenden ende viktima të tjera nën rrënoja, njofton policia. Deri tani janë regjistruar gjithsej 130 të vdekur.

Ndër viktimat në qarkun Ahrweiler janë edhe dymbëdhjetë banorë të një strehimoreje kujdestarie për persona me aftësi të kufizuara mendore. Ata jetonin në Sinzig, në një qytet të vogël në deltën e lumenjve Ahr dhe Rin, në kufi me Renaninë Veriore -Vestfalinë./tvklan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme