Arrijnë në SHBA amerikanët që ishin të burgosur në Iran

13:46 | 19 Shtator 2023
Fetie Gashi

Pesë amerikanë që u këmbyen me pesë të burgosur iranianë, arritën në Shtetet e Bashkuara në orët e para të 19 shtatorit, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Ata u liruan në këmbim të 6 miliardë dollarë asete iraniane, që më herët ishin ngrirë.

Pesë shtetasit amerikanë fillimisht fluturuan për Doha të Katarit, ku u pritën nga ambasadori amerikan në këtë shtet dhe u nisën për në SHBA.

“Sot, pesë amerikanë të pafajshëm që ishin të burgosur në Iran, më në fund janë kthyer në shtëpi”, tha presidenti amerikan, Joe Biden. Deklarata e Bidenit u lëshua nga Shtëpia e Bardhë në kohën kur amerikanët ateruan në Katar.

Biden falënderoi liderët e Katarit dhe Omanit “për ndihmën në lehtësimin e marrëveshjes” për lirimin e tyre, negociata që zgjatën për muaj të tërë.

Në Nju Jork, një ditë më parë, presidenti i linjës së ashpër të Iranit, Ebrahim Raisi, e cilësoi marrëveshjen për këmbimin e të burgosurve, “hap në drejtim të një veprimi humanitar midis nesh dhe Amerikës” që “definitivisht mund të na ndihmojë të ndërtojmë besimin” mes dy shteteve.

Marrëveshja u arrit pas disa muajsh dhe ky pakt ka nxitur kritika nga disa elemente të linjës së ashpër në SHBA, të cilët mendojnë se kjo marrëveshje do t’i ndihmojë regjimit iranian, i cili është nën sanksione amerikane.

“Nuk do të isha i lirë sot nëse nuk do të ishit ju të gjithë që nuk lejuat që bota të më harrojë”, tha njëri prej qytetarëve amerikanë të liruar, që është identifikuar si Siamak Namazi.

Avioni i Katarit u nis nga Teherani me pesë amerikanët në bord dhe dy familjarë të tyre, raportuan agjencitë e lajmeve, disa orë pasi Ministria e Jashtme iraniane tha më 18 shtator se këmbimi i të burgosurve do të ndodhte shumë shpejt.

Rreth 6 miliardë asete iraniane ishin ngrirë në Korenë e Jugut. Ato tani janë në Katar. Lirimi i këtyre fondeve ishte element kyç që mundësoi këmbimin e të burgosurve, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani.

Sipas marrëveshjes, fondet do të mbahen në llogaritë në Katar – aleat i SHBA-së në Gadishullin Arabik, ku ka prani të ushtrisë amerikane. Këto fonde do të lejohet që të përdoren për shpenzime humanitare, sikurse ushqimi dhe ilaçet, tha SHBA-ja.

Zyrtarët iranianë kanë bërë publikë identitetin e shtetasve të tyre që po mbaheshin në SHBA.

Aty përfshihen tri iranianë – Mehrdad Ansari, Reza Sarhangpour Kafrani, dhe Kambiz Attar Kashani –të akuzuar se në mënyrë të paligjshme kishin marrë nën posedim teknologji të lartë, që besohet se do ta dërgonin në Iran. Sektori i teknologjisë iraniane është nën sanksione amerikane që nga viti 2018.

Dy të tjerë – Kaveh Lotfolah Afrasiabi dhe Amin Hasanzadeh – ishin arrestuar për shkak se kishin dështuar që të regjistroheshin si agjentë të huaj dhe për shkak të dyshimeve se kishin vjedhur plane inxhinierike, në emër të Iranit.

Në mesin e amerikanëve të liruar është Namazi, i arrestuar më 2015. Ai ishte dënuar me 10 vjet burgim pasi nën akuza për spiunazh. Po ashtu është liruar Emad Sharghi, biznesmen i dënuar me 10 vjet burgim dhe Morad Tahbaz, britaniko-amerikani me prejardhje iraniane që ishte arrestuar më 2018 dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Identiteti i dy të liruarve të tjerë nuk është bërë publik.

Në mes të valës së vazhdueshme të trazirave, forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar rreth 40 shtetas të huaj, shpesh pa bërë të ditur ndonjë akuzë specifike.

Që nga tërheqja e njëanshme e presidentit të atëhershëm Donald Trump në 2018 nga një marrëveshje trivjeçare midis fuqive globale dhe Iranit, që synonte frenimin e programit bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të masave paraprake të dizajnuara për të parandaluar vendin të avanconte aftësitë e tij bërthamore, Irani është izoluar gjithnjë e më shumë dhe i është nënshtruar sanksioneve më të rrepta ekonomike dhe diplomatike.

Përveç pasojave diplomatike dhe ekonomike, analistët kanë lidhur një sërë konfiskimesh dhe sulmesh anijesh në zonën jetike të ngushticës së Hormuzit me Teheranin.

Pentagoni thuhet se po shqyrton një strategji për të vendosur trupa amerikane në anijet tregtare në rajon, e cila shërben si një kalim për afërsisht 20 për qind të dërgesave totale të naftës në botë.

Teherani ka bashkëpunuar gjithashtu me Rusinë në Lindjen e Mesme, përveç furnizimit të Moskës me dronë të rëndësishëm sulmues për të çuar përpara planet e luftës së Kremlinit në Ukrainë./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme