Google ADS

Arrestohet politikani italian i lidhur me mafian

22:16 | 20 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Mëngjesin e sotëm eshte arrestuar nga Guardia di Finanza Këshilltari Rajonal i Torinos, Roberto Rosso, një nga drejtuesit e forcës politike “Fratelli d’ Italia” në Piemonte.

Ai akuzohet se ka kërkuar vota nga klani mafioz italian “Ndrangheta”, në zgjedhjet e fundit rajonale në të cilat ai ishte zgjedhur në radhët e qendrës së djathtë.

Rosso përfundoi në pranga së bashku me shtatë persona të tjerë në një hetim të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia e Torinos. Në të njëjtën kohë, u bë edhe konfiskimi i pasurive që i përkisnin “Ndrangheta”, të shpërndarë në të gjithë Italinë.

“La Stampa” bën me dije se Rosso, sipas akuzave, u është drejtuar bashkëpunëtorëve të bandave kalabreze për të mbledhur vota, ndërsa po këtë paradite, ai ka dhënë dorëheqjen si këshilltar rajonal.

Ndërkohë kryetari i “Fratelli d’ Italia”, Giorgia Meloni, deklaroi se derisa të sqarohet kjo çështje, Rosso do të konsiderohet zyrtarisht jashtë “FdI”. Ai gjithashtu theksoi se Rosso ka qenë anëtar i “Fratelli d’Italia” për pak më shumë se një vit.

“Mësuam këtë mëngjes së ai u arrestua me akuzën më të turpshme për të gjithë. Ndihem i keqardhur. Shpresoj që ai të dëshmojë pafajësinë e tij, por unë njoftoj se “Fratelli d’Italia” do të bëhet palë civile në gjyqin eventual kundër tij”, është shprehur Meloni.

54 vjeçari Roberto Rosso, nga Vercelli, është një avokat civil. Ai ishte këshilltar rajonal përgjegjës për marrëdhëniet me Këshillin, duke deleguar procedurat administrative, çështjet ligjore dhe proceset gjyqësore, emigracionin dhe të drejtat civile. Rosso ka një karrierë të gjatë politike, duke filluar nga vitet 1990. Ai ka qenë deputet pesë herë në radhët e “Forza Italia”./lajmiifunit/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme