Forcat kurde në veri të Sirisë janë të gatshme për respektimin e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Turqisë për armëpushim. “Ne do t’i bëjmë të gjitha që janë në mundësitë tona që armëpushimi të ketë sukses”, deklaroi komandanti i Forcave Demokratike Siriane (FDS), Maslum Abdi, për televizionin Ronahi TV. Marrëveshja parashikon edhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe përjashton ndryshimet demografike në këtë rajon, theksoi Abdi, në një intervistë me telefon.
Marrëveshja mes SHBA dhe Turqisë, e arritur të enjten (17.10), vlen për rajonin mes qytetit Ras al-Ain dhe luginës Abjad, tha Abdi. Kjo do të ishte vetëm një zonë e ngushtë e sigurisë, të cilën pretendon ta krijojë Turqia në kufirin me Sirinë. Në kumtesën e përbashkët të SHBA dhe Turqisë nuk flitet për përmasat e një zone të tillë. Por pozicionimet nga komandantët kurdë mund të kuptohen edhe si mundësi e vazhdimit të konflikteve në zonat e tjera.
Nga Ras al-Ain vijnë ndërkohë lajme për shkeljen sporadike të marrëveshjes për armëpushim. Janë dëgjuar të shtëna me armë të vogla por edhe artileri, njoftojnë vëzhguesit. Por këto të dhëna nuk kanë mundur të konfirmohen nga burime të pavarura. Në rajonet e tjera nuk ka shkelje të marrëveshjes – deri tani.
Kërcënimet
Pas shumë orë negociatash mes zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence – dhe pas kërcënimeve amerikane – Turqia pranoi që ta ndëpresë ofensivën e saj ushtarake në veri të Sirisë për pesë ditë. Qëllimi është që të mundësohet tërheqja e milicëve të YPG. Kjo fazë ka filluar ndërkohë. Pas tërheqjes së milicëve kurdë duhet të shpallet edhe përfundimi i ofensivës, kumtoi Pence.
Pala turke nuk flet për armëpushim, por për një ndërprerje të përkiohshme të ofensivës. Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu tha se në zonën “prej 32 kilometrash thellësi dhe gjatësi prej 444 kilometrash në lindje të Eufratit, nuk do të mbetet asnjë terrorist dhe atje do të krijohet një zonë e sigurisë”. Qeveria në Ankara pretendon që në këtë zonë të rivendosë refugjatët sirianë, të cilët tani janë vendosur në Turqi. Ndërhyrja ushtarake ka filluar para një jave.
Aleatët
Luftëtarët kurdë kanë qenë aleatë të forcave amerikane në luftën kundër terroristëve të “Shtetit Islamik” (IS). Pence tha, se Turqia dhe SHBA kanë rënë dakord për luftimin e përbashkët të terroristëve të IS në veri të Sirisë. Ato do të koordinojnë aksionet edhe lidhur me kampet e luftëtarëve të arrestuar të IS, të cilat deri tani janë kontrolluar nga kurdët. Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar para fillimit të ofensivës turke tërheqjen e forcave amerikane nga kjo zonë. Ky vendim ka hasur në kritika. Edhe ofensiva turke ka ngjallur kritika të shumta ndërkombëtare./DW/
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...