Google ADS

Armenia sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare

16:50 | 9 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Sot është dita kur po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Armeni. Këto zgjedhje po vlerësohen si test i rëndësishëm për njeriun që qëndron prapa “Revolucionit të Mëndafshtë”, i cili e trazoi vendin në prill të këtij viti. Nikol Pashinyan ishte zgjedhur kryeministër nga deputetët në maj, pas disa javëve të protestave kundër korrupsionit.

Në këto zgjedhje po marrin pjesë njëmbëdhjetë parti dhe blloqe politike, ndërsa aleanca e kryeministrit aktual, “Hapi Im”, pritet që të fitojë një shumicë parlamentare. Qendrat e votimit janë hapur në orën tetë të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën njëzet, sipas kohës lokale. Rezultatet e para pritet të dalin në orët e para të ditës së hënë.

Pashinyani më herët ka qenë redaktor i një gazete, por shpejt u bë politikan i opozitës. Ai dha dorëheqje në tetor në mënyrë që të shpërndahet kuvendi para zgjedhjeve. Zgjedhjet e rregullta parlamentare është dashur të mbahen në vitin 2022, ndërsa kritikët kanë thënë se këto zgjedhje të parakohshme i kanë lënë në pozitë të papërshtatshme kandidatët tjerë.

“Të gjitha partitë politike janë dëmtuar nga koha e shkurtër për t’u përgatitur mirë për këto zgjedhje. Demokracia e vendit është në rrezik nga e ashtuquajtura eufori pasrevolucionare”, thotë Armen Ashotyan, nënkryetar i Partisë Republikane të Armenisë.

Armenia është një vend që dikur ka qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik dhe i ka rreth tre milionë banorë. Në Armeni gjendet një bazë e madhe ushtarake e Rusisë, duke e bërë vendin të varur nga Rusia në aspektin e sigurisë, shkruan “BBC”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme