Armenia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbajë një takim urgjent lidhur me përkeqësimin e situatës në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
Ky rajon në Azerbajxhan është i banuar kryesisht me armenë etnikë.
Në letrën dërguar më 11 gusht te presidenti i Këshillit të Sigurimit, ambasadori armen në OKB, Mher Margarian, tha se banorët e Nagorno-Karabakut “janë në prag të një katastrofe të plotë humanitare”.
Si Armenia, ashtu edhe autoritetet separatiste në Nagorno-Karabak kanë thënë se Azerbajxhani ka bllokuar qasjen në këtë rajon që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke rezultuar në mungesë të furnizimeve me ushqim, ilaçe dhe energji.
Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi në qershor Azerbajxhani ashpërsoi bllokadën duke vendosur një pikë-kontrolli në rrugën që njihet si Korridori i Laçinit.
Kjo është rruga e vetme që lidh Armeninë me rajonin e shkëputur. Azerbajxhani pretendoi se “disa lloje kontrabandash” ishin zbuluar në makinat e Kryqit të Kuq që vinin nga Armenia.
Duke iu referuar bllokadës, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, tha më 11 gusht se ndalimi i dërgesave me ndihmë humanitare përbën “gjenocid”.
Pashinian po ashtu paralajmëroi Azerbajxhanin kundër asaj që ai e quajti “anulim të mundësisë historike për paqe” mes dy shteteve në Kaukazin Jugor.
Azerbajxhani mohon se po bllokon Nagorno-Karabakun dhe ka ofruar rrugë alternative për dërgesat përmes qytetit Agdam, që gjendet në veri të rajonit dhe kontrollohet nga Bakuja.
Megjithatë, Qeveria separatiste e Nagorno-Karabakut e ka refuzuar këtë ofertë, duke thënë se bllokada e Korridorit Laçin nga Azerbajxhani përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020.
Kjo marrëveshje, që u ndërmjetësua nga Moska, parasheh një rrugë të gjerë prej pesë kilometrash, që duhet të kontrollohet nga paqeruajtësit rusë.
Një grup i ekspertëve të OKB-së lëshoi një deklaratë më 7 gusht duke shprehur alarmin lidhur me bllokadën që Azerbajxhani ka vendosur në Korridorin e Laçinit.
Ekspertët thanë se kjo bllokadë ka çuar në krizë të rëndë humanitare në Nagorno-Karabak.
“Me heqje e bllokadës, autoritetet [e Azerbajxhanit] mund të lehtësojnë vuajtjen e mijëra banorëve në Nagorno-Karabak dhe të lejojnë dërgimin e papenguar të ndihmës humanitare për popullatën civile”, thanë ekspertët. “Është thelbësore që të ofrohet siguria, dinjiteti dhe mirëqenia e të gjithë persona gjatë kësaj kohe kritike”./rel/
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...