Armenia filloi të hënën stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, një veprim që pasqyron përpjekjet e udhëheqësit të këtij vendi për të krijuar lidhje më të ngushta me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ndërsa marrëdhëniet e vendit me aleaten e vjetër, Rusinë, janë përkeqësuar.
Manovrat e emërtuara “Eagle Partner” synojnë rritjen e ndërveprimit të njësive që marrin pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, sipas ministrit të Mbrojtjes së Armenisë, Suren Papikyan.
Ato përfshijnë forcat paqeruajtëse armene, ushtarakë të Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, dhe Gardën Kombëtare të Kansasit. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa forca po merrnin pjesë.
Manovrat ishin planifikuar të zgjasin deri më 24 korrik.
Rusia ka qenë partnere dhe aleate kryesore ekonomike e Armenisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Armenia, një vend pa dalje në det dhe që ishte dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, ka një bazë ushtarake ruse dhe është pjesë e aleancës së sigurisë të udhëhequr nga Moska, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive.
Lidhjet e Armenisë me Rusinë, megjithatë, janë tensionuar gjithnjë e më shumë që kur Azerbajxhani kreu një fushatë të befasishme ushtarake vitin e kaluar për të marrë rajonin e Karabakut, duke i dhënë fund tre dekadave të kontrollit nga separatistët armenë.
Autoritetet armene akuzuan paqeruajtësit rusë, që u vendosën në Nagorno-Karabak pas një raundi të mëparshëm të konfliktit në vitin 2020, se nuk arritën të ndalonin sulmin e Azerbajxhanit. Moska i hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se trupat e saj nuk kishin mandat për të ndërhyrë.
Rusia është angazhuar në një akt delikat balancimi, duke u përpjekur të ruajë marrëdhëniet e ngushta me Armeninë, duke ruajtur gjithashtu lidhje të ngrohta me Azerbajxhanin, si dhe aleaten e saj kryesore Turqinë, një partnere kryesore ekonomike për Moskën, ndërsa vazhdojnë sanksionet perëndimore.
Kremlini ka shfaqur zemërimin për përpjekjet e kryeministrit Nikol Pashinyan për të thelluar lidhjet e Armenisë me Perëndimin dhe për ta larguar vendin e tij nga aleancat e dominuara nga Moska.
Rusia ishte veçanërisht e shqetësuar nga vendimi i Armenisë për t’u anëtarësuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila vitin e kaluar ngriti paditi ndaj presidentit rus Vladimir Putin për krime lufte të dyshuara, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ndërsa hendeku në marrëdhënien me Rusinë vazhdonte të zgjerohej, Armenia ngriu pjesëmarrjen e saj në aleancën e sigurisë të dominuar nga Rusia, anuloi përfshirjen e saj në stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe nuk mori pjesë në takimet e nivelit të lartë të këtij blloku.
Edhe në shtator 2023, Armenia organizoi stërvitjet “Eagle Partner”, duke shkaktuar shqetësim në Moskë, ku zyrtarët e quajtën këtë hap “jomiqësor”./voa/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...