Kafshët e lënduara nga zjarret pyjore që filluan në janar në provincën Corrientes të Argjentinës verilindore dhe vazhduan në pika të ndryshme deri në fund të shkurtit, duke shkatërruar më shumë se 1 milion hektarë hapësirë të gjelbër, po trajtohen në Qendrën për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra Aguara.
Daniel Segovia, drejtor i qendrës, një nga vendet në kufirin e Argjentinës me Paraguajin ku trajtohen kafshët e lënduara të shpëtuara nga zjarret që shkatërruan afërsisht 12 për qind të provincës Corrientes, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se numri i kafshëve të prekura nga zjarret ende nuk mund të përcaktohet saktë.
“Vitin e kaluar, 475 kafshë u sollën në qendër. Pas shpërthimit të zjarreve, rreth 200 kafshë u sollën vetëm në janar, shkurt dhe mars. Numri i kafshëve të ardhura në qendër në këto tre muaj është rritur ndjeshëm. Aktualisht janë nën mjekim 72 kafshë, ndërsa 80 kafshë po ashtu janë duke u rehabilituar në mënyra të ndryshme”, deklaroi Segovia
Duke tërhequr vëmendjen për ndryshimin afatgjatë të klimës përpara zjarreve, Segovia u shpreh: “Ne po kalojmë një periudhë në të cilën liqenet dhe masat ujore humbasin për shkak të temperaturës së lartë dhe thatësirës. Ky është një proces që ka vazhduar për dy vjet. Zjarri ishte goditja përfundimtare e kësaj fatkeqësie”.
– Më të prekura kafshët që jetojnë në masa ujore
Në lidhje me kafshët më të prekura nga zjarret, Segovia tha: “Llojet e kafshëve më të prekura nga zjarret ishin ato, habitatet e të cilave ishin masa ujore, si liqenet dhe digat. U prekën edhe kafshët me lëvizshmëri të ulët, si thneglangrënësit, gjarpërinjtë dhe breshkat”.
Ai më tej shtoi se procesi i shërimit të kafshëve ndryshon sipas llojit.
“Trajtimi i zogut grabitqar dhe i kapibarës apo i dhelprës nuk është i njëjtë. Pjesa mjekësore veterinare për kafshët me djegie është e njëjtë për të gjithë, pjesa pas trajtimit të djegieve ndryshon në varësi të species”, theksoi ai.
Segovia njoftoi se resurset e qendrës janë shtuar pas zjarreve, duke shtuar se qeveria po rrit vazhdimisht fondet për këtë qendër.
Lidhur me lëshimin e kafshëve në natyrë, Segovia tha se sipas mendimit të veterinerëve që kryejnë kontrollet e tyre klinike dhe analizat e gjakut, në varësi të specieve, këto kafshë mund të lëshohen të lira nëse testet e tyre të sjelljes rezultojnë pozitive.
Ai lavdëroi edhe solidarizimin e njerëzve për të ofruar ndihmën e tyre në qendër.
– 1 milion e 42 mijë hektarë të shkatërruar
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Teknologjisë Bujqësore (INTA), 1 milion e 42 mijë hektarë tokë, që përkon me afërsisht 12 për qind të sipërfaqes së provincës, u shkatërruan nga zjarret që ranë në provincën verilindore Corrientes në Argjentinë në fillim të janarit dhe që vazhduan në pjesë të ndryshme të provincës deri në fund të shkurtit.
Zjarret, të cilët nuk mund të viheshin nën kontroll për një kohë të gjatë dhe shkaktuan ngordhjen, plagosjen dhe ikjen e shumë kafshëve nga habitati i tyre, u shuan tërësisht në javën e dytë të marsit.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...