Argjentina shpreson fillimin e vaksinimit në fund të vitit

16:20 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez theksoi se shpresonte për disponueshmërinë e një vaksine deri në fund të vitit, pasi kishte arritur një marrëveshje me Rusinë që do të mundësonte vaksinimin e 10 nga 44 milionë banorët e vendit amerikano-jugor.

“Ne dëshirojmë që Argjentinasit të mund të marrin sa më shpejt të jetë e mundur një vaksinë”, deklaroi Fernandez në një mesazh për popullin.

“Ne do të kemi dozat për 10 milionë persona, nëse gjithçka shkon mirë, nga fundi i dhjetorit”, shtoi presidenti.

Alberto Fernandez gjithashtu konfirmoi se kishte diskutuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike, për furnizimin e Argjentinës me vaksinat Sputnik V.

Të dy vendet kanë ndërmarrë “hapa të rëndësishëm” për të arritur një marrëveshje të furnizimit direkt, ndërsa monitorojnë nga afër zhvillimin e testimit në Rusi, për të miratuar shpejt vaksinën kur të vijë koha.

Sputnik V, i quajtur kështu duke iu referuar satelitit të parë artificial në histori i krijuar nga Bashkimi Sovjetik, hyri në fazën e tretë të provave klinike, me një skemë vaksinimi që përfshin injektimin e dy dozave me 21 ditë ndërprerje.

Vaksina u prit me skepticizëm në botë, veçanërisht sepse kishte arritur në fazën finale të provave në momentin e publikimit të saj.

Argjentina është një prej vendeve më të prekura nga pandemia me më shumë se 1,2 milionë raste dhe pothuajse 33 000 të vdekur që prej muajit mars, sipas të dhënave zyrtare./ATSh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme