Arabia Saudite shtyn ngjarjet sportive për shkak të koronavirusit

13:10 | 7 Mars 2020
Arbresh.info

Arabia Saudite ka shtyrë të gjitha ngjarjet sportive për shkak të epidemisë së koronavirusit COVID-19, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve SPA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi është marrë në përputhje me masat mbrojtëse të marra nga komiteti që monitoron virusin, tha Ministria e Sportit në një deklaratë.

Më 27 shkurt, Arabia Saudite pezulloi hyrjen e haxhinjve që kërkojnë të kryejnë Umren nga frika e përhapjes së koronavirusit.

Emiratet e Bashkuara Arabe do të zgjasin pushimin pranveror

Ndërkohë, studentët në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të bëjnë një pushim të zgjatur pranveror, si pjesë e luftës kundër COVID-19.

Ministria e Arsimit ka vendosur të fillojë pushimin më 8 mars në vend të 29 marsit, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Emirateve (WAM).

Në dy javët e fundit të pushimit, që përfundon më 12 prill, studentët janë vendosur të mësojnë përmes arsimit në distancë.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar gjithashtu 45 raste të virusit në gjithë vendin.

Kuvajti pezullon fluturimet në 7 vende

Shteti tjetër i Gjirit, Kuvajti, ka pezulluar udhëtimet ajrore me shtatë vende për një javë, përfshirë Egjiptin, Filipinet, Sirinë, Libanin, Sri Lankën, Bangladeshin dhe Indinë.

Qytetarët e Kuvajtit që vijnë nga këto vende do të lejohen të hyjnë në vend, por do të futen nën karantinë, tha në një deklaratë Drejtoria e Aviacionit Civil të vendit.

Autoritetet e Kuvajtit kanë konfirmaur 58 raste të virusit në gjithë vendin.

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e rreth 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar 100 mijë vetë.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme