Google ADS

Arabia Saudite: Prodhimi i naftës ra 50% nga sulmet

21:48 | 15 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Arabia Saudite po përpiqet të normalizojë operacionet në fushat kryesore naftëmbajtëse pas sulmeve me dronë që reduktuan në 50% prodhimin e naftës në vend. Autoritetet në Riad thonë se do të përdorin rezervat kombëtare të naftës për të stabilizuar linjat e furnizimit botëror me naftë.

Ndërkaq, vazhdon paqartësia lidhur me organizatorët e sulmit që shkaktuan një rënie prej 5.7 milionë fuçish në ditë ose rreth 6% e prodhimit global të naftës në ditë. Po ashtu mbetet e paqartë pikënisja e raketave që goditën të shtunën objektin saudit të prodhimit të naftës.

Video amatore tregojnë flakë të fuqishme që kanë përfshirë objektin në lindje të vendit. Dje pasdite qiejt mbi qytetin Abkaid ishin mbuluar nga tymi. Zyrtarët sauditë thonë se nuk ka pasur dëme në njerëz nga sulmi.

Një zëdhënës ushtarak për grupet kryengritëse huti në Jemen mori përgjegjësi për sulmet dhe u betua të intensifikojë goditjet nëse sauditët vazhdojnë të sulmojnë objektivat e hutive në Jemen. Hutitë janë një grup shiit në Jemen që vazhdon të luftojë prej vitesh me forcat qeveritare.

Por dje Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo fajësoi Iranin për sulmin, duke përjashtuar mundësinë që hutitë të ishin të përfshirë në këtë akt.

“Nuk ka prova që sulmet erdhën nga Jemeni,” tha ai.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të ofronte prova për deklaratat e zotit Pompeo. Irani ka hedhur poshtë njoftimet se kishte lidhje me sulmin./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme