Google ADS

Arabia Saudite paralajmëron investime në Iran

22:38 | 15 Mars 2023
K.B

Ministri i Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al-Jadaan, tha se investimet saudite në Iran mund të ndodhin “shumë shpejt”, pasi dy vendet arritën marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Ka shumë mundësi për investimet saudite në Iran. Ne nuk shohim pengesa nëse respektohet marrëveshja”, tha Al-Jadaan gjatë një konference për sektorin financiar në Riad më 15 mars.

Të premten, Irani dhe Arabia Saudite u pajtuan që të rivendosin raportet dhe të rihapin ambasadat brenda dy muajsh. Marrëveshja, që u arrit në Kinë, erdhi pas vitesh armiqësi mes Teheranit dhe Riadit.

“Stabiliteti në rajon është shumë i rëndësishëm për botën dhe për shtetet e rajonit dhe ne gjithmonë kemi thënë se Irani është fqinji ynë dhe ne nuk kemi asnjë interes të kemi konflikt me fqinjët tanë, nëse ata kanë vullnet për bashkëpunim”, tha më pas Al-Jadaan në një intervistë për Reuters.

Armiqësitë mes këtyre dy fuqive në Lindjen e Mesme kanë rrezikuar stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe kanë ndihmuar në nxitjen e konflikteve rajonale, përfshirë në Jemen, Siri dhe Libi.

“Ne nuk kemi asnjë arsye që të mos investojmë në Iran, nuk kemi që të mos i lejojmë ata që të investojnë në Arabinë Saudite. Është në interesin tonë që të sigurohemi që të dyja vendet të përfitojnë nga burimet e njëra-tjetrës”, tha ai.

Pas arritjes së marrëveshjes për rivendosjen e raporteve diplomatike më 10 mars, Shtetet e Bashkuara e mirëpritën marrëveshjen, por shprehën skepticizëm se Irani do të respektojë paktin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme