Arabia Saudite dhe Rusia thanë se do të zgjasin deri në fund të vitit pakësimin e prodhimit të naftës së papërpunuar, pavarësisht përmirësimit të tregut dhe pritshmërive të analistëve për furnizim të kufizuar gjatë tre mujorit të katërt.
Menjëherë pas bërjes publik të lajmit, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, nafta e papërpunuar në tregun Brent kapërceu në 90 dollarë për fuçi, për herë të parë që prej nëntorit, pavarësisht eksporteve të qëndrueshme të naftës iraniane dhe venezueliane, ndërsa në treg është krijuar bindja se Shtetet e Bashkuara nuk po vendosin sanksione aq të rrepta si në vitet e kaluara.
“Sauditët e sinjalizuan një gjë të tillë muajin e kaluar përmes një deklarate të gjatë, por lëvizja e sotme, i gjeti gjithsesi të papërgatitur një pjesë të aktorëve të tregut. Edhe një herë Princi Abdulaziz mbetet i vendosur të bëjë gjithçka për të arritur objektivat e tij”, thotë analistja Helim Croft nga banka e investimeve globale “RBC Capital Markets”, duke iu referuar ministrit saudit të Energjisë, Princit Abdulaziz bin Salman.
Vendimi është një goditje për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Reduktimi i furnizimeve nxit rritjen e çmimeve të karburanteve, dhe ai është në garë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen pas 14 muajsh.
Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur idenë se bota ka nevojë për çmime më të ulëta të naftës, për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të parandaluar që presidenti rus Vladimir Putin të sigurojë më shumë të ardhura, për të financuar luftën në Ukrainë.
Presidenti Biden nuk arriti gjatë një vizite vitin e kaluar në Arabinë Saudite, udhëheqësja “de facto” e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC+), të siguronte një rritje të prodhimit të naftës.
Përkundrazi, aleatët e OPEC +, të udhëhequr nga Rusia, njoftuan uljen e prodhimit në tetor dhe në mënyrë të papritur, shkurtime të tjera të furnizimit, në muajin prill.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët Perëndimorë i kanë bërë thirrje vendeve të OPEC + që të rrisin prodhimin për të siguruar kosto më të ulëta të energjisë dhe për të ndihmuar ekonominë botërore.
Prodhuesit e OPEC+ argumentojnë se veprimet e tyre synojnë të garantojnë qëndrueshmërinë e tregut.
Vendet anëtare të OPEC+ vlerësojnë se prodhimi me tepri i parave nga ana e bankave qendrore perëndimore në dekadën e fundit, ka ulur vlerën e produktit të tyre kryesor të eksportit, që përbën një pjesë të madhe të të ardhurave të këtyre vendeve.
Arabia Saudite do të shtrijë edhe në tre muajt e ardhshëm vendimin për pakësimin e prodhimit të naftës, në 1 milionë fuçi në ditë, deri në fund të dhjetorit të vitit 2023, tha agjencia shtetërore e lajmeve SPA të martën duke cituar një zyrtar të ministrisë së Energjisë.
Rusia vendosi të shtrijë deri në fund të vitit vendimin për pakësimin e eksporteve të naftës në 300,000 fuçi në ditë, tha zëvendës kryeministri Alexander Novak, në deklaratën e tij këtë të martë.
Vendimi i Rusisë për t’iu bashkuar Arabisë Saudite për të shtrirë kufizimin e livrimeve i lejon Kremlinit të mbledhë më shumë të ardhura ndërsa vazhdon luftën në Ukrainë dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të kufizuar të ardhurat e Moskës duke vendosur çmime tavan ndaj naftës ruse. Shumica e naftës ruse po tregtohet mbi kufirin e çmimit./VOA
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...