Një gjykatëse që mbikëqyr rastin ndaj Donald Trumpit për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor të vitit 2020, anuloi çdo procedurë të mbetur gjyqësor, teksa prokurorët po vlerësojnë “kursin që duhet të ndërmerret” pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, vitin e kaluar e kishte akuzuar Trumpin se kishte planifikuar që ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe e kishte akuzuar për posedimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago.
Por, ekipi i Smithit ka qenë duke e shqyrtuar se si do të mbyllë dy çështjet federale përpara se presidenti i zgjedhur të marrë detyrën si president për shkak se politika e kamotshme e Departamentit të Drejtësisë thotë se presidentët në detyrë nuk mund të ndiqen penalisht, tha për Associated Press një zyrtar që ka njohuri për çështjen.
Fitorja e Trumpit kundër nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, nënkupton se Departamenti amerikan i Drejtësisë beson se ai më nuk mund të përballet me ndjekje penale, sipas opinioneve ligjore të Departamentit që janë në fuqi për të mbrojtur presidentët që janë në detyrë.
Trump kishte kritikuar të dyja rastet penale, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe ka deklaruar se do ta shkarkonte Smithin “brenda dy sekondash” pasi të marrë detyrën.
Në shkresën dërguar gjykatës të premten lidhur me rastin e zgjedhjeve të vitit 2020, ekipi i Smithit kërkoi që të anuloheshin procedurat gjyqësore, duke thënë se duhet kohë “për të vlerësuar rrethanat e paprecedenta dhe për të përcaktuar kursin e duhur përpara në linjë me politikën e Departamentit të Drejtësisë”.
Gjykatësja Tanya Chutkan menjëherë miratoi kërkesën dhe urdhëroi prokurorët që të dërgonin shkresa me propozimet e tyre “për drejtimin që duhet të ndërmarrin në këtë rast” deri më 2 dhjetor.
Gjyqi ndaj Trumpit ishte paraparë të niste në mars në Uashington, ku më shumë se 1.000 mbështetës të tij janë përballur me akuza për rolin e tyre në trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan. Por, rasti është ndërprerë pasi Trumpi pretendoi se kishte imunitet nga përndjekja dhe më pas çështja shkoi në Gjykatën Supreme.
Në korrik, Gjykata Supreme tha se ish-presidentët kishin imunitet nga ndjekja penale dhe rasti u kthye te Chutkan për të vendosur se cilat pretendime të aktakuzës mund të çohen përpara.
Ndërkaq, rasti për dokumentet e klasifikuara është bllokuar që nga korriku, kur gjykatësi i emëruar nga Trumpi, Aileen Cannon, hodhi poshtë rastin mbi pretendimet se Smith ishte emëruar paligjshëm.
Smith e ka apeluar vendimin dhe çështja është ende duke u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit.
Edhe pse Smith synon ta tërheqë rastin ndaj Trumpit për dokumentet e klasifikuara, ai me gjasë do të vazhdojë të sfidojë vendimin e Cannonit sa i përket ligjshmërisë së emërimit të tij./rel/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...