Anulohen mbi njëmijë fluturime për shkak të valës së dytë me koronavirus

13:09 | 17 Qershor 2020
Arbresh.info

Të gjitha zonat e banuara në Pekin janë në izolim, ndërsa mijëra fluturime brenda dhe jashtë kryeqytetit kinez janë anuluar për shkak të shpërthimit të ri të infeksioneve me koronavirus të ri (COVID-19), raportuan sot mediat shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas “The Global Times”, 1.255 fluturime, 640 të brendshme dhe 615 nisje, u anuluan pasi autoritetet ngritën statusin e reagimit të urgjencës nga COVID-19 të qytetit nga niveli 3 në nivelin 2.

Masat e bllokimit u zbatuan në të gjithë qytetin pasi numri i infeksioneve lokale kaloi 100 në më pak se një javë.

Gjatë 24 orëve të fundit, 44 raste të reja me COVID-19 u regjistruan brenda Kinës, përfshirë 31 nga Pekini, duke e çuar numrin në 137 në gjashtë ditët e fundit, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit në raportin e tij të përditshëm.

Autoritetet më parë mbyllën tregun Xinfadi, i cili shet ushqime deti, fruta dhe perime, dhe besohet se është burimi i shpërthimit të ri në qytet.

Pekini, shtëpia e mbi 21 milionë njerëzve, ka filluar testimet masive të acidit nukleik, veçanërisht për ata që vizituan tregun.

Sipas gazetës së drejtuar nga shteti, më shumë raste të lidhura me valën e re nga Pekini janë shfaqur jashtë kryeqytetit.

Thuhet se dy raste të reja, një në provincën fqinje Hebei dhe tjetra në provincën lindore Zhejiang, kanë qenë të lidhura me tregun Xinfadi.

Raporti thotë se zinxhiri i infeksionit i zbuluar nga tregu “tashmë është përhapur në Liaoning të Kinës Verilindore me dy pacientë, dhe provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore me një rast”.

Pas shpërthimit në Pekin, disa qytete kanë lëshuar alarme dhe masa të zbatuara për të shmangur situata të ngjashme, duke përfshirë këshillimin e njerëzve që vizituan tregun Xinfadi të vetëkarantinohen për 14 ditë.

Qytete të shumta tashmë kanë paralajmëruar banorët të mos udhëtojnë në Pekin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme