Një anketim i fundit tregon se shumica e amerikanëve besojnë se zgjedhjet presidenciale të këtij viti janë kyçe për të ardhmen e demokracisë së vendit.
Thuajse tre në katër amerikanë kanë bindjen se votimet e 5 nëntorit janë jetike për demokracinë.
Anketa e re e zhvilluar nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Hulumtim të Çështjeve Publike NORC tregon se qëndrimi i amerikanëvë mbi rrezikun ndaj demokracisë bazohet në prirjet e tyre politike. Përafërsisht 6 në 10 demokratë i shohin zgjedhjet si “jashtëzakonisht të rëndësishme” për të ardhmen e demokracisë, krahasuar me 4 në dhjetë votues të pavaruar, ose republikanë.
Shumë demokratë vazhdojnë ta shohin ish-Presidentin Donald Trump si kërcënim ndaj demokracisë duke e lidhur këtë me përpjekjet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020. Por të dhënat gjithashtu sugjerojnë se shumë mbështetës të zotit Trump bien dakord me të se në të vërtetë kërcënim për demokracinë është Presidenti Joe Biden.
Zoti Trump dhe aleatët e tij e kanë akuzuar zotin Biden se ka përdorur politikisht Departamentin e Drejtësisë, i cili ka ngritur akuza ndaj ish-Presidentit mbi përpjekjet për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, megjithëse nuk ka asnjë provë që Presidenti Biden të ketë patur ndikim në ngritjen e këtyre akuzave.
Zoti Trump e ka portretizuar veten si mbrojtjes të vlerave amerikane, ndërsa zotin Biden si “shkatërrues” të demokracisë. Disa herë pas atentatit kundër tij, zoti Trump është shprehur se ai “mori plumbin për demokracinë”.
Presidenti Joe Biden, duke folur në një intervistë për rrjetin CBS News të mërkurën, tha se nuk kishte besim për një transferim paqësor të pushtetit nëse zoti Trump humbiste zgjedhjet e nëntorit.
“Nëse Trumpi humbet, nuk kam shumë besim”, tha ai kur u pyet nëse mendonte në një kalim paqësor të detyrës.
Anketimi, i cili u realizua disa ditë pas largimit të Presidentit Biden nga gara dhe njoftimit të zonjës Harris se do të kandidonte, ofron pikëpamjet e para të amerikanëve në dritën e një konteksti të ri të fushatës presidenciale.
Shumica e demokratëve dhe republikanëve thonë se demokracia mund të rrezikohet në këto zgjedhje në varësi të fituesit të garës, përgjigje të cilat janë përgjithësisht në përputhje me rezultatet e anketimit të fundit kur u shtrua kjo pyetje, në një sondazh të agjencisë së lajmeve Associated Press me Qendrën për Hulumtimin e Çështjeve Publike NORC në dhjetor 2023.
Pamela Hanson, një demokrate nga Viskonsini, thotë se është e shqetësuar se zoti Trump, nëse siguron një mandat të dytë, mund të përdorë Gjykatën e Lartë, me shumicë konservatore, për të përmbysur disa të drejta të rëndësishme.
Ndërsa Ernie Wagner, një republikan nga Nju Jorku, thotë se “kur zoti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhe, kishim paqe, mirëqenie dhe pavarësi. Çfarë bie ndesh me demokracinë në gjithë këto?”, pyet ai.
Disa votues të pavarur po vlerësojnë me kujdes se çfarë është në rrezik në këto zgjedhje.
“Besoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësihme të jetës sime”, thotë 53 vjeçarja Patricia Seliga-Williams nga Merilendi, në votuese e pavaruar e cila duket se po anon nga zonja Harris.
Ajo mezi fiton 15 dollarë në orë ndërsa punon në një hotel në kohën që shërbehet mëngjesi. Ajo kujton se zoti Trump e menaxhoi mirë, sipas saj, ekonominë dhe emigracionin. Por, nuk i pëlqeu kur ai u shpreh se synon të “bëhet diktator” në ditën e parë që do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. “E dimë të gjithë se ai mund ta drejtonte këtë vend. Por ai po bëhet shumë agresiv dhe si votuese nuk i besoj dot më”, u shpreh ajo.
Jo të gjithë janë dakord se zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të jenë një pikë kthese për demokracinë e vendit, duke dhënë për këtë arsye krejtësisht të ndryshme.
Sipas sondazhit rreth 2 në 10 amerikanë thonë se demokracia në Shtetet e Bashkuara është mjaftueshëm e fortë për t’i bërë ballë rezultatit të zgjedhjeve pavarësisht se kush fiton, ndërsa 2 në 10 të tjerë besojnë se demokracia është dëmtuar aq shumë sa rezultati nuk ka rëndësi.
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...