Sipas një anketimi të ri të opinionit publik, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris kryeson me 47% mbështetje përkundër ish-Presidentit republikan Donald Trump me 42%, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj pas debatit televiziv ku votuesit mendojnë se zonja Harris pati paraqitjen më të mirë. Anketimi i bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos u publikua të enjten.
Anketimi dyditor tregon se zonja Harris është në një avantazh prej 5% ndër votuesit e regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij viti, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj prej 4% përballë zotit Trump sipas anketimit të mëparshëm që pati bërë agjencia Reuters dhe firma Ipsos në periudhën 21-28 gusht.
Ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, zonja Harris mori 53% mbështetje, ndërsa 24% prej tyre thanë se debatin e kishte fituar zoti Trump. Rreth 52% e të anketuarve thanë se zoti Trump hasi në vështirësi dhe se nuk u shfaq në formën më të mirë, ndërsa 21% prej tyre thanë të njëjtën gjë për zonjën Harris.
Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, e vendosi ish-Presidentin Trump, 78 vjeç, në pozita mbrojtëse gjatë një debati të nxehtë presidencial, me një seri sulmesh ndaj përshtatshmërisë së tij për detyrën e presidentit dhe sfidat e tij të shumta ligjore.
Anketimi përfshiu 1,690 amerikanë të moshës madhore në mbarë vendin, ndër ta 1,405 të regjistruar për të votuar këtë vit. Mundësia e gabimit të këtij anketimi është në nivelin rreth 3% ndër votuesit e regjistruar.
Megjithëse anketimet në nivel kombëtar, përfshirë anketimin e bërë nga agjencia Reuters dhe firma Ipsos, japin sinjale të rëndësishme për pikëpamjet e elektoratit, janë rezultatet shtet mbas shteti që çertifikohen në Kolegjin Elektoral ato që përcaktojnë fituesin dhe pritet që rezultati përfundimtar të vendoset nga një numër i vogël shtetesh jetike për betejën elektorale./voa/
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...
Dua Lipa fejohet me Callum Turner