Google ADS

Anketë: Shumica e britanikëve nuk i besojnë parlamentit dhe qeverisë

16:44 | 23 Tetor 2019
Arbresh.info

Shumica e qytetarëve të Britanisë nuk kanë besim në parlamentin dhe qeverinë, ka treguar një anketë e kanalit Sky News, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas anketës së zhvilluar në periudhën 9-14 tetor me 1.563 pjesëmarrës, debati mbi Brexit-in i cili po vazhdon prej tre vitesh dhe rritja e kufizuar e pagave si rezultat i masave të kursimit ka ndikuar negativisht te popullata britanike.

Në anketë, 69 për qind e pjesëmarrësve kanë deklaruar se nuk i besojnë parlamentit, kurse 59 për qind nuk kanë besim në Bashkimin Evropian (BE).

Ndërkaq, të pyetur nëse i besojnë qeverisë, 62 për qind e pjesëmarrësve janë përgjigjur negativisht, ndërsa kjo shifër ka shkuar në 80 për qind te pjesëmarrësit anti-Brexit.

Po ashtu, 46 për qind janë shprehur të kënaqur nga kryeministri Boris Johnson, kurse 49 për qind kanë dhënë përgjigje të kundërt. Sipas anketës, popullariteti i Johnson në tre muajt e parë të detyrës ka rezultuar më i ulët sesa i pesë kryeministrave të mëparshëm.

Ndërkaq, pakënaqësia ndaj liderit të Partisë Laburiste Jeremy Corbyn ka rezultuar në 55 për qind.

Anketa gjithashtu ka treguar pesimizëm të qytetarëve edhe në aspektin ekonomik. Gati tre në çdo pesë persona janë shprehur se ekonomia e vendit është përkeqësuar në 12 muajt e fundit.

Në lajmin mbi anketën, Sky News ka komentuar se Brexit ka bërë që politika dhe shoqëria britanike të jenë gjithnjë e më “të pashtruara”, ndikuar edhe nga retorika përçarëse e përdorur nëpër gazetat dhe rrjetet sociale kundër politikanëve, nëpunësve civilë, gazetarëve dhe gjykatësve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme