Trazirat në Katalonjë mund të jenë vetëm fillimi. Tensionet po rriten në Europën Lindore.
Disa nga momentet e mëdha të historisë bien mbi njerëzit e biznesit. Dy vjet më parë, Britania dukej të ishte vendi ekonomikisht më racional i Europës; tani kompanitë e saj duket se po kalojnë nga një tërmet ekonomik tek tjetri, me Brexit që duket se do të pasohet nga zgjedhja e të parit kryeministër pothuajse marksist, Jeremy Corbyn.
Duke parë të shkuarën, dy gjëra mund të veçohen. Së pari, ekzistojnë disa shkaqe të thella e të nënvlerësuara “irracionale”, të tilla si zemërimi shkatërrimtar ndaj emigracionit dhe globalizimit. Së dyti, ka pasur një sërë vendimmarrjesh afatshkurta të lidhura me njëra-tjetrën që duken se janë llogaritur keq. Për dekada, p.sh, të sulmoje Bashkimin Europian ishte “goditje e lirë” për politikanët britanikë. Nëse David Cameronit nuk do i ishte dashur ta bënte këtë shumë herë, a do të kishte arritur ai në vendimin për të thirrur referendumin kur mund të kishte vendosur thjesht për një votim me shumicë votash. A është penduar tashmë Angela Merkel që i dha Kameronit kaq pak koncesione përpara votimit Brexit? A do ta bënin sërish anëtarët e moderuar laburistë ndihmën që i dhanë Corbyn për t’u ngjitur në krye të partisë së tyre në emër të diversitetit politik?
Tani, një tjetër thyerje mund të jetë afër Europës, e nxitur nga një përzierje e ngjashme e zemërimit dhe manovrimit afatshkurtër politik. Kjo e fundit mund të jetë midis thelbit demokratik të Europës Perëndimore, drejtuar nga Merkel dhe së fundmi nga Emanuel Makron të cilët janë në kërkim të një integrimi më të madh të eurozonës, dhe autoritaristëve populistë të Europës Lindore që nuk e pëlqejnë Brukselin. Këtë radhë, argumentet janë ato për lirinë politike dhe sovranitetin kombëtar.
Në fund të muajit, me gjasa çekët do të kenë një kryeministër të ri alla-Trump – Andrej Babis, një miliarder populist që dëshiron të kthejë në shtëpi emigrantët arabë dhe që premton ta bëjë qeverinë të funksionojë po aq mirë sa edhe bizneset e tij.
Për të qenë të drejtë me Babis, ai është një figurë më e butë sesa presidenti amerikan (për të mos përmendur që është edhe një biznesmen më i suksesshëm). Ai është, për shembull, i kujdesshëm të theksojë respektin për Gjyqësorin dhe, në lidhje me emigracionin, ai mirëpret të sapoardhurit nga Ukraina, duke vënë në dukje se vetë vjen nga Sllovakia. Pika e tij më e fortë është efikasiteti (ai nxjerr tym ndaj ish-partnerëve të tij të koalicionit që luajnë me telefona gjatë mbledhjeve të kabinetit).
Sidoqoftë, Babis është plotësisht kundër rritjes së integrimit europian të llojit që kërkon Makron dhe po ashtu është kundër ndërhyrjes së Brukselit në Europën Lindore. Kjo do të thotë se, pavarësisht butësisë së markës së tij të populizmit, ai me gjasa do të grupohet me Viktor Orban e Hungarisë dhe Jaroslav Kacinskin e Polonisë, si pjesë e periferisë autoritariste të Europës.
Kacinski nuk është lideri formal i Polonisë, por ai drejton partinë e krahut të djathtë Ligj dhe Drejtësi, që mban si presidencën ashtu edhe kreun e qeverisë. Një kritik i ashpër i Merkelit, sidomos për emigracionin, ai është pothuajse në luftë të përhershme me BE-në, ndërsa betejat e tij variojnë nga ato institucionale – pas Brexit, ai kërkoi rikthimin e pushtetit nga Brukseli drejt shteteve – e deri tek personale, pasi ai u përpoq, edhe pse në mënyrë të pasuksesshme, të ndalonte bashkëatdhetarin e tij Donald Tusk të merte detyrën e presidentit të Këshillit Europian.
Nga ana e BE-së, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans, po heton zyrtarisht partinë Ligj dhe Drejtësi për përpjekjen për spastrimin e gjyqtarëve të papëlqyeshëm prej saj, dhe për ndërhyrje ndaj medias. Në rastin më të keq, ky hetim do të thotë aktivizim i nenit 7, që do të pezullonte të drejtat e votimit të Polonisë në Këshillin Europian.
Kacinski dikur mburej se do ta bënte Varshavën nga Budapesti. Kjo reflekton faktin sesi Orbani i Hungarisë ka hapur rrugën. Një figurë shumë më diplomatike sesa Kazinski, Orban që më herët ka qenë një element anti-sovjetik, po ashtu është akuzuar se po merr nën kontroll gjyqësorin dhe po përlyen kundërshtarët e tij (përfshirë BE-në): qeveria e tij është aktualisht duke qarkulluar një “konsultim kombëtar” të financuar me fonde publike, një pjesëz propagande e ilustruar për atë që quhet “plani Soros”, ku me gjasa BE zbaton një skemë të financierit të lindur në Hungari, Xhorxh Soros për të çmontuar gardhet kufitare kundër emigrantëve dhe ku ai paguan emigrantët të vijnë në Europë. Por, Orban ka qenë përgjithësisht më i zgjuar sesa dishepulli i tij polak duke u tërhequr përpara se BE të hyjë në veprim. Pavarësisht posterave të opozitës që e përshkruajnë atë dhe miqtë e tij të biznesit si gangsterë, Orban pritet të fitojë lehtësisht zgjedhjet hungareze të vitit të ardhshëm.
E gjitha kjo sjell në bazë një fakt elementar për të tre populistët: ata janë popullorë. Njerëzit e biznesit në rajon priren të hedhin poshtë shanset e një ndarjeje me BE-në. Ekonomitë e vendeve po ia dalin mirë, vënë në dukje ata. Po, pak europiano-lindorë janë të gatshëm të kenë refugjatë sirianë si fqinj, por kjo është gjithashtu e vërtetë në Francë e Gjermani (ku rajonet lindore votuan më masivisht për AfD-në). Njerëzit e biznesit priren të theksojnë se Orban dhe Babis janë pragmatistë, që ata do të ndalen përpara se të shkojnë shumë larg. Biznesi po ashtu ka besim që Gjermania në veçanti nuk do të dojë të reduktojë marrëdhëniet në një zonë që është tashmë kaq shumë e integruar me vetë ekonominë e saj.
Babis, me sjellje më biznesmeni ndër të tre liderët, mbështet këtë pikëpamje. Ai druhet se nëse do të ketë ndonjë referendum nesër, çekët do të votonin largimin, por kjo është ajo që saktësisht ai do të marrë në konsideratë për të mos e thirrur një referendum të tillë. Do të ishte çmenduri për një vend me madhësinë e Republikës Çeke, qoftë edhe të mendojë të largohet nga blloku.
Pikëpamja e biznesit duket mjaftueshëm logjike. Por, në të njëjtën kohë duket pas si logjika e biznesit britanik përpara Brexit: në fund, njeriu i zakonshëm do të dëgjojë zërat e arsyes ekonomike dhe do të zgjedhë qëndrimin. Problem ishte se votuesit britanikë nuk menduan kështu. Pas dekadash që u ishte thënë sesa i padobishëm ishte BE – sidomos për emigracionin – miliona britanikë të zemëruar votuan largimin. Ndërkohë, shumë nga liderët e BE-së, pasi ishin lodhur me opozitën britanike për një kohë të gjatë, thanë rrugë e mbarë.
Në Europën Lindore, një arsye përse gjasat janë ende kundër ndarjes ëhstë se polakët, çekët dhe hungarezët kanë rastin shkatërrimtar të Brexit për të ndjerrë konkluzione. Ndërkohë, liderët e Europës Perëndimore nuk e kanë me nxitim të humbin anëtarë të tjerë. Por, ekziston po ashtu edhe mundësia e ndërhyrjes në këtë lëmsh të politikës afatshkurtër.
Në këtë rast, dy janë personalitetet që me gjasa do të luajnë role të mëdha. Një është presidenti i ri francez. Në fushatë, Makron u ankua për njerëzit që bëjnë një sy qorr ndaj Polonisë apo Hungarisë – dhe tha se do të kërkonte sanksione ndaj Polonisë për shmangie të rregullave dhe vlerave të BE-së, ndërkohë që përfiton ekonomikisht nga anëtarësia në bllok.
Ka parime pas kësaj: BE supozohej të nxiste vendet drejt demokracisë dhe sidomos në botën alla-Trump, BE e sheh veten si mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Por, politika po ashtu luan rol: pak votues francezë do të derdhnin lotë nëse shkonin më pak fonde drejt Hungarisë apo nëse bëhet më e vështirë për hidraulikët polakë të gjejnë punë në Paris. Dhe tani, Makron kërkon të ecë përpara në përpjekjet për të integruar BE-në, duke centralizuar eurozonën, që do të zemërojë vendet lindore që ndodhen jashtë bllokut të monedhës së përbashkët.
Personaliteti tjetër është Kacinski. I paparashikueshëm, paranojak (së fundmi, ai akuzoi kundërshtarët e tij “plehra” për “vrasjen” e vëllait të tij) dhe i fiksuar pas historisë tragjike të vendit të tij, lideri polak e bën Boris Xhonson të duket gati i lexueshëm dhe i lehtë për t’u menaxhuar. Ashtu si Orban dhe Babis, ai kundërshton ashpër çdo ide për rritjen e fuqive të Brukselit apo për zgjerimin e hapësirës që ndan bërthamën e ngushtë të vendeve të euros.
Por, ai është shumë i keq në ndarjen e marrëveshjeve me Europën. Çfarë do të mdodhë nëse BE vendos për ta ndëshkuar? Nëse plani i propozuar nga Makron për integrim më të madh do të minohet nga polakët? Shanset janë që Europa do t’i nënshtrohet një ndarjeje tjetër të madhe. Por, kjo ishte edhe mundësi kur Kameron thirri referendumin. Në Europë në këto momente, njerëzit e biznesit bëjnë budallallëk nëse injorojnë këtë mundësi./tesheshi
Marrë nga: Bloomberg
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë