Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International e ka cilësuar si të turpshëm vendimin e disa shteteve evropiane për të bllokuar ankorimin në portet e tyre të disa anijeve për shpëtimin e emigrantëve që operohen nga organizata jo-qeveritare. Amnesty International thotë se politika e Evropës ndaj emigrantëve po vë jetën e tyre në rrezik, si në det ashtu edhe në terren në Libi, që shfrytëzohet nga shumica e azilkërkuesve në përpjekjet për të arritur në Evropë.
Pas 19 ditësh në det, këta emigrantë më në fund u lejuan të hynin në Maltë gjatë këtij muaji. Anijeve të organizatave joqeveritare që shpëtuan migrantët vazhdimisht u ishin refuzuar kërkesat për ankorim nga Italia, Malta dhe vende të tjera evropiane.
Amnesty International thotë se kjo pason vendimin e Evropës për transferimin e sigurisë së kufirit tek Libia.
“Kjo ka bërë që qeveritë evropiane të mbështeten tek roja bregdetare libiane jo vetëm për të kapur anijet e refugjatëve dhe emigrantëve në det, por edhe për të koordinuar shpëtimet. E vetmja gjë që rojet bregdetare libiane mund t’i thonë OJQ-ve është kthimi në Libi dhe zbarkimi i njerëzve atje, por ligji ndërkombëtar ndalon kthimin e njerëzve në një vend ku ata mund të jenë objekt i torturave”, thotë Matteo De Bellis i organizatës Amnesty International.
Shumë vende evropiane, veçanërisht Italia, u kanë dhënë fund misioneve të tyre të shpëtimit në Mesdhe, kështu që anijet e OJQ-ve po mbushin boshllëkun.
Por vendet e Evropës Jugore si Italia dhe Malta kanë ndaluar ankorimin dhe zbarkimin e emigrantëve në portet e tyre.
“Nuk ka asnjë mekanizëm që u mundëson qeverive evropiane, shteteve evropiane të ndajnë përgjegjësinë mes tyre për ndihmën ndaj azilkërkuesve”, thotë Matteo De Bellis i organizatës Amnesty International.
Spanja këtë javë bllokoi largimin nga porti të anijes së shpëtimit “Proactiva Open Arms”, një hap që u përshëndet nga Italia.
“Nëse Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera evropiane do të bënin atë që thonë, Evropa do të shpëtohej, por siç ka thënë edhe Kryeministri, nëse fjalët nuk do të shndërroheshin në veprime, Evropa nuk do të ekzistonte”, thotë Matteo Salvini, Ministër i Brendshëm i Italisë.
BE thotë se rrjedha e emigrantëve në Evropë është ulur me 92 për qind në krahasim me kulmin e saj në vitin 2015. Argumenti i populistëve se Evropa po kërcënohet nga imigracioni është thjesht i pavërtetë, thotë Amnesty International.
“Në vend që ta sfidojnë këtë në bazë të të dhënave reale, shumë qeveri duket se favorizojnë këtë lloj perceptimi, këtë lloj mjedisi të lajmeve të rreme”, thotë Matteo De Bellis i organizatës Amnesty International.
Malta thotë se shtatë vende evropiane kanë rënë dakord të marrin një pjesë nga 300 emigrantët që kanë zbritur në brigjet e saj që nga dhjetori. Por me qeveritë anti-emigrante në pushtet në disa vende anëtare të BE-së, Brukseli duket shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për një mekanizëm të përhershëm të kuotave të refugjatëve./VOA
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...