Google ADS

Amnesty: Gati njëmijë të burgosur janë ekzekutuar më 2017

16:55 | 12 Prill 2018
Arbresh.info

Amnesty International ka shprehur shqetësimin se dënimi me vdekje vazhdon të zbatohet në disa vende të Lindjes së Mesme, pasi raportoi një rënie në mbarë botën në ekzekutimet dhe dënimet me vdekje në vitin 2017.

Në raportin e saj vjetor të botuar të enjten, grupi i të drejtave ndërkombëtare dokumentoi të paktën 993 ekzekutime në 23 vende vitin e kaluar – një rënie prej katër për qind nga 2016, kur u regjistruan 1,032 ekzekutime, transmeton portali arbresh.info.

Nga një rekord i lartë prej 3,117 në vitin 2016, që nga fillimi i dokumentimit të Amnesty International, u vendosën 2,591 dënime me vdekje në mbarë botën – një rënie prej 17 për qind.

Por për të dytin vit radhazi, vendet e Lindjes së Mesme të Iranit, Arabisë Saudite dhe Irakut ishin tre të parat për numrin e ekzekutimeve në botë – së bashku me Pakistanin, ato përbëjnë 84 për qind të ekzekutimeve të regjistruara në mbarë botën.

Kina besohet gjerësisht se ekzekuton mijëra njerëz çdo vit, por të dhënat për ekzekutimet “klasifikohet si një sekret shtetëror”, sipas Amnesty.

“Në shumë vende të rajonit [Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut] dënimi me vdekje përdoret pas procedurave që nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë”, tha Oluwatosin Popoola, këshilltar i Amnesty International për dënimin me vdekje.

“Kjo përfshin nxjerrjen e rrëfimeve nëpërmjet torturës dhe keqtrajtimeve të tjera”, i tha ai Al Jazeeras në një intervistë telefonike.

Me shifrën 264, rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrika e Veriut gjithashtu shënoi numrin më të madh të ekzekutimeve të lidhura me drogën vitin e kaluar, tha raporti.

Në Arabinë Saudite, heqja e kokave për krimet e drogës përbënin 40 për qind të ekzekutimeve totale – një rritje nga 16 për qind në vitin 2016.

Që nga viti 1977, Amnesty ka avokuar heqjen e dënimit me vdekje, të cilën Popoola tha se është “mohimi përfundimtar i të drejtave të njeriut” dhe nuk “i shërben shoqërisë për të mirë”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme