Pothuajse të gjithë amerikanët pajtohen me faktin se përhapja e shfrenuar e dezinformatave është një problem.
Shumica mendojnë gjithashtu se lidhur me këtë situatë një pjesë të mirë të fajit e kanë kompanitë e medias sociale dhe përdoruesit e tyre.
Por vetëm një numër i vogël amerikanësh mendojnë se ata vetë mund të jenë përgjegjës për situatën. Të dhënat janë pasqyruar në një sondazh të ri të Institutit Pearson, agjencisë “Associated Press” dhe qendrës kërkimore NORC.
95 për qind e amerikanëve thonë se dezinformacioni është një problem kur ata përpiqen të kenë qasje në informacione të rëndësishme. Rreth gjysma ia vënë fajin më madh qeverisë amerikane, dhe rreth tre të katërtat, përdoruesve të medias sociale dhe kompanive të teknologjisë.
Megjithatë, vetëm 2 në 10 amerikanë thonë se janë shumë të shqetësuar se mos vetë ata kanë përhapur personalisht dezinformata.
Pjesa më e madhe, rreth 6 në 10 amerikanë, thonë se janë disi të shqetësuar se miqtë apo familjarët e tyre mund të kenë qenë pjesë e këtij problemi.
Për Carmen Speller, një studente 33-vjeçare, diplomuar në Lexington të Kentakit, dallimet janë të dukshme kur ajo diskuton pandeminë e koronavirusit me rrethin e ngushtë familjar. Speller beson tek vaksinat kundër COVID-19, por familja e saj jo. Ajo beson se keqinformimi që familja e saj ka marrë nëpërmjet televizorit ose duke lexuar në faqet lajmesh të dyshimta, ka ndikuar në vendimin e tyre për të mos u vaksinuar kundër COVID-19.
Në fakt, disa nga anëtarët e familjes së saj mendojnë se ajo është e çmendur që i beson qeverisë lidhur me informacionet që shpërndan mbi COVID-19.
“Besoj se ata mendojnë se unë jam e keqinformuar. Unë jam ajo që po ndjek verbërisht atë që thotë qeveria dhe kjo është diçka që e dëgjoj shpesh”, thotë Speller. “Situata ka mbërritur në atë pikë sa po krijon shumë tension me familjen time dhe gjithashtu me disa nga miqtë e mi”.
Speller nuk është e vetmja që ka mosmarrëveshje me familjen e saj mbi këto çështje.
Sondazhi zbuloi se 61% e republikanëve thonë se qeveria amerikane ka shumë përgjegjësi për përhapjen e dezinformatave, krahasuar me vetëm 38% në radhët e demokratëve.
Sidoqoftë, si demokratët ashtu edhe republikanët bien dakord lidhur me rolin që luajnë kompanitë e mediave sociale në përhapjen e dezinformatave, përfshirë Facebook-n, Twitter-in dhe YouTube-in.
Sipas sondazhit, 79% e republikanëve dhe 73% e demokratëve thonë se kompanitë e mediave sociale kanë një përgjegjësi të madhe ose një përqindje të konsiderueshme të përgjegjësisë mbi dezinformacionin.
Ky qëndrim, i rrallë mes amerikanëve, mund të shkaktojë probleme për gjigantët e teknologjisë si Facebook-u, më i madhi dhe më fitimprurësi mes platformave të mediave sociale, i cili është kritikuar nga ligjvënësit e të dyja partive.
“Sondazhi është një lajm i keq për Facebook-un”, thotë Konstantin Sonin, një profesor i politikave publike në Universitetin e Çikagos i cili bashkëpunon gjithashtu edhe me Institutin Pearson.
Gjatë një seance dëgjimore të martën në Kongres, senatorët u zotuan se do të vendosin rregullore të reja ndaj kompanisë. Kjo vjen pas një dëshmie të një sinjalizueseje, ish-punonjëse e Facebook-ut, e cila tha se vetë të dhënat e kompanisë tregojnë se algoritmet e saj nxisin dezinformatat dhe përmbajtjet që dëmtojnë fëmijët.
“Kompania ka përfituar nga përhapja e dezinformatave dhe mbjellja e urrejtjes”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal, gjatë seancës dëgjimore në Nënkomisionin e Senatit për Tregtinë dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.
Sondazhi gjithashtu zbuloi se amerikanët janë të gatshëm të fajësojnë të gjithë, por jo veten e tyre lidhur me përhapjen e dezinformatave. 53% e tyre thonë se nuk janë të shqetësuar se mund të kenë përhapur dezinformata.
“Ne e ndeshim këtë shumë herë. Njerëzit mendojnë se është diçka që u ndodh të tjerëve. Sipas tyre janë njerëzit e tjerë që mashtrohen prej tij (informacionit të rremë), dhe njerëzit e tjerë e përhapin atë”, thotë Lisa Fazio, një profesoreshë e psikologjisë në Universitetit Vanderbilt, e cila trajton çështje që lidhen me përhapjen e informacionit të rremë. “Shumica e njerëzve nuk e pranojnë rolin e tyre në këtë aspekt”, thotë ajo.
Të rinjtë priren të jenë më të shqetësuar se mund të kenë shpërndarë informacione të rreme. 25% të amerikanëve të moshës 18 deri në 29 vjeç, thonë se janë shumë ose jashtëzakonisht të shqetësuar se kanë përhapur dezinformata, krahasuar me vetëm 14% të amerikanëve të moshës 60 vjeç e lart. Gjashtëdhjetë e tre përqind e këtyre të fundit nuk janë të shqetësuar se mund të jenë bërë shkak për dezinformata.
Por siç thotë zonja Fazio janë amerikanët në moshë të madhe që duhet të shqetësohen më shumë për përhapjen e dezinformatave, duke patur parasysh se hulumtimet tregojnë se ata kanë më shumë gjasa të ndajnë një artikull nga një faqe interneti me lajmeve të rreme.
Para se të ndajë gjërat me familjen ose miqtë e saj në Facebook, studentja Carmen Speller përpiqet të bëjë më të mirën për t’u siguruar që informacioni që po përcjell për tema të rëndësishme si COVID-19, vjen nga një institucion mjekësor i besueshëm. Sidoqoftë, ajo pranon se ka patur një apo dy raste kur ajo “ka pëlqyer” apo ka “shpërndarë” një postim në platformat sociale pa marrë parasysh nëse informacionet ishin apo jo të sakta.
“Jam e sigurt që ka ndodhur”, thotë ajo.
“Unë prirem të mos ndaj gjëra në mediat sociale të cilat nuk i gjej në faqe të verifikuara. Por jam e hapur nëse dikush do të ma vinte në dukje, se informacioni që po shpërndaj nuk është i saktë. Ç’ka do të më bënte të mendoja dhe ta kontrolloja një gjë të tillë”, shton studentja./VoA/
Parashikimi i motit për të premten
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...