Në këto kohë konfliktesh jashtë vendit, më shumë amerikanë mendojnë se politika e jashtme duhet të jetë një përqendrim kryesor i qeverisë amerikane në vitin 2024, sipas një sondazhi të ri që tregon se për publikun po marrin më shumë rëndësi çështjet ndërkombëtare dhe emigracioni.
Rreth 4 në 10 amerikanë të rritur përmendën çështje të politikës së jashtme, kur iu kërkua të shpreheshin mbi deri në pesë çështje për të cilat qeveria duhet të punonte vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi të muajit dhjetor nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC.
Kjo është rreth dyfishi i atyre që përmendën këtë çështje në sondazhin e kryer vitin e kaluar nga Associated Press dhe NORC.
Shqetësimet mbi ekonominë ende lënë në hije çështje të tjera. Por gjetjet e sondazhit të ri tregojnë shqetësim në rritje mbi përfshirjen e Shteteve të Bashkuara për çështje jashtë shtetit – 20 për qind e shprehën këtë shqetësim në sondazh, kundrejt 5 për qind, një vit më parë.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se lufta Izrael-Hamas po nxit ankthin publik. Konflikti u përmend nga 5 për qind e të anketuarve, ndërkohë që pothuajse askush nuk e përmendi një vit më parë. Çështja ka mbizotëruar gjeopolitikën që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit në Gazë pas sulmit të këtij grupi më 7 tetor në territorin izraelit.
Katër për qind e të rriturve amerikanë përmendën konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës si çështje ku qeveria e tyre duhet të përqendrohet këtë vit.
Politika e jashtme ka fituar rëndësi në mesin e të anketuarve nga të dyja palët. Rreth 46 për qind e republikanëve e përmendën atë, nga 23 për qind vitin e kaluar. Dhe 34 për qind e demokratëve rendisin politikën e jashtme si një pikë kyçe, krahasuar me 16 për qind një vit më parë.
Emigracioni është gjithashtu një shqetësim dypartiak në rritje.
Në përgjithësi, sondazhi zbuloi se shqetësimet mbi emigracionin u rritën në 35 për qind nga 27 për qind vitin e kaluar. Shumica e republikanëve, 55 për qind, thonë se qeveria duhet të përqëndrohet tek emigracioni në vitin 2024, ndërsa 22 për qind e demokratëve e renditën atë si përparësi.
Edhe pse emigracioni dhe politika e jashtme u ngritën si çështje, shqetësim mbetet ekonomia. Inflacioni ka rënë, papunësia është e ulët dhe Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme parashikimet për rënie ekonomike, megjithatë të anketuarit kanë një këndvështrim të zymtë për ekonominë.
Rreth 76 për qind e të rriturve amerikanë thanë këtë herë se duan që qeveria të përqëndrohet në çështjet që lidhen me ekonominë në vitin 2024, thuajse njësoj me 75 për qind që u shprehën kështu në 2022.
Rreth 85 për qind e republikanëve dhe 65 për qind e demokratëve e konsiderojnë ekonominë si një çështje kryesore.
Një e katërta e të rriturve amerikanë thonë se 2024 do të jetë një vit më i mirë se 2023 për ta personalisht dhe 24 për qind presin të jetë një vit më i keq./voa/
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...