Amerika paralajmëron për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

14:42 | 6 Nëntor 2019
Arbresh Info

Zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar për përpjekjet e Rusisë dhe Iranit për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale, të cilat mbahen vitin e ardhshëm.

“Armiqtë tanë dëshirojnë t’i rrezikojnë institucionet tona demokratike, të ndikojnë në qëndrimet e publikut dhe të ndikojnë në politikat e qeverisë”, thanë udhëheqësit e sektorit të sigurisë së administratës së presidentit Donald Trump.

“Rusia, Kina, Irani dhe aktorë të tjerë negativë do të përpiqen të ndërhyjnë në procesin e votimit apo të ndikojnë në perceptimin e votuesve”, thanë këta zyrtarë.

Zyrtarët amerikanë edhe më parë kanë paralajmëruar se Rusia, Irani dhe disa shtete të tjera mund të bëjnë përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit të vitit të ardhshëm. Megjithatë, Moska dhe Tehrani vazhdimisht i kanë mohuar këto deklarata.

Ky paralajmërim u nënshkrua nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Barr, sekretari i mbrojtjes, Mark Esper, sekretari për sigurinë e atdheut, Kevin McAleenan, drejtori i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, drejtori i kibernetikës dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare, Paul Nakasone dhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Infrastrukturë, Christopher Krebs, shkruan “Free Europe”. /Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme