Ambasadorja izraelite: Situata në Izrael është e rëndë

18:42 | 25 Tetor 2023
E.G

Tamar Ziv, ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, tha se Situata në Izrael është e rëndë.

“Ne kemi mbi 120 mijë të zhvendosur brenda Izraelit. Po flasim për njerëz të cilët kanë jetuar në Rripin e Gazës, brenda Izraelit. Ata janë sulmuar më 7 tetor në qytetet dhe fshatrat që janë në pjesën veriore të kufirit midis Izraelit dhe Libanit, për shkak të kërcënimeve të Hezbullahut”, tha ajo sot në një intervistë për Radio Kosovën.

Radio Kosova: Cila është gjendja aktuale në Gaza?

Tamar Ziv: Mendoj që e kuptoni që në njërën anë Izraeli është duke punuar shumë që të mos i lëndojë, ose sa më pak që është e mundur, civilët në Gaza. Ne u kemi kërkuar atyre që të lëvizin në veri të Gazës, në mënyrë që ata të mos lëndohen, e në anën tjetër jemi duke luftuar për të shkatërruar aftësitë e Hamasit, që si organizatë terroriste të mos përbëjë kërcënim më për Izraelin. Jemi duke mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, me qëllim që këto ndihma do të shpërndahen për qytetarët, e jo për Hamasin, sepse siç e dini, Hamasi është duke vjedhur krejt çfarë mundet duke e marrë nga popullsia civile, në mënyrë që të përmbushë nevojat e veta. Sasi e madhe e karburanteve p.sh, është vjedhur nga dyqanet, ashtu si dhe ka vjedhur barnat. Dhe përderisa ndihmat humanitare arrijnë te qytetarët, Izraeli e mbështetë këtë.

Radio Kosova: Pas sulmit në Izrael, cila është situata atje?

Tamar Ziv: Situata në Izrael është e rëndë. Ne kemi mbi 120 mijë të zhvendosur brenda Izraelit. Po flasim për njerëz të cilët kanë jetuar në Rripin e Gazës, brenda Izraelit. Ata janë sulmuar më 7 tetor në qytetet dhe fshatrat që janë në pjesën veriore të kufirit midis Izraelit dhe Libanit, për shkak të kërcënimeve të Hezbullahut. Pra, shto faktin që pas sulmit që Hamasi e ka kryer mbi Izraelin dhe fakti që ne po vazhdojmë t’i varrosim të vrarët tanë, të mbajmë zi, të ballafaqohemi me traumën të cilën e kanë përjetuar, jo vetëm ata që janë prekur nga sulmi, por i tërë vendi që kaloi në këtë sulm të tmerrshëm

Radio Kosova: Si shihet në Jerusalem roli i Iranit ?

Tamar Ziv: Është shumë e qartë që Irani është mbrapa të gjitha këtyre organizatave terroriste në Lindje të Mesme. Siç e dini Irani ka aleatë në të gjitha anët. Ata kanë milici pro-iraniane në Irak, në Siri dhe Libi. Ata janë duke e mbështetur Hezbullahun prej 20 vjetësh, që është një organizatë terroriste shumë e rrezikshme. Dhe po ashtu janë duke e mbështetur Hamasin dhe Xhihadin Islam, që veprojnë në Gaza. Pra Irani është komplet pas të gjitha këtyre organizatave terroriste. Irani i inkurajon këto organizata jo vetëm moralisht, por është edhe duke i mbështetur financiarisht, profesionalisht, ushtarakisht, në mënyrë që të vrasë çdo jahudi në botë.

Radio Kosova: Bota arabe në Lindje të Mesme, vazhdimisht është duke dënuar sulmet e Izraelit mbi Rripin e Gazës?

Tamar Ziv: Do të doja të shihja një vend, çdo vend në këtë botë, që do të sulmohej kaq ashpër nga një organizatë terroriste dhe që nuk do ta luftonte këtë organizatë terroriste derisa të arrijë ta shkatërrojë. Unë dua të shoh një vend që nuk do ta bënte këtë, prandaj sugjeroj që njerëzit të ndalojnë së qeni hipokritë.

Radio Kosova: A ka të ngjarë që konflikti të përfshije gjithë Lindjen e Mesme?

Tamar Ziv: Mendoj se kjo varet fuqimisht dhe vetëm nga Irani dhe Hezbollahu, sepse ne nuk kemi absolutisht asnjë interes të zgjerojmë konfliktin më tej se Rripi i Gazës. Por siç e dini, dhe siç e keni parë, Hezbollahu na ka sulmuar që nga fillimi, gati dy javë e gjysmë më parë. Nuk ka ditë që ata të mos qëllojnë me raketa antitanke, apo raketat e tyre që përpiqen të kryejnë të gjitha llojet e sulmeve kundër Izraelit, në mbështetje të Hamasit. Ky është vendimi i tyre. Dhe sigurisht, ata janë atje në konsultime të ngushta duke marrë udhëzime nga Irani, se si të vazhdojnë. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti amerikan, Xho Bajden, dhe shumë liderë të tjerë botërorë kanë vizituar Izraelin për 10 ditët e fundit, duke paralajmëruar Iranin dhe Hezbollahun që të mos hapin një front të dytë me Izraelin. Tërë liderët e botës së lirë dhe demokratike kanë qëndruar pas Izraelit duke na mbështetur. Nëse Hezbollahu hap një sulm të gjithanshëm ndaj nesh, atëherë sigurisht që ky akt do të shkojë në një konflikt shumë më të madh.

Radio Kosova: A është i gatshëm Izraeli për një zgjidhje paqësore me ndonjë ndërmjetësim, apo do të jetësohet premtimi i kryeministrit Benjamin Netanjahu për të shkuar deri në fund ?

Tamar Ziv: Jo, unë mendoj se ne duhet të bëjmë dallimin midis organizatave terroriste si Hamasi dhe Xhihadi Islamik dhe populli palestinez. Ne do t’i luftojmë këto organizata terroriste në mënyrë që ato të mos jenë më kërcënim për Izraelin dhe të mos qëndrojnë më në kufirin tonë jugor. Më duhet t’ju them këtë që nga viti 2007, Izraeli u largua nga Gaza në vitin 2005. Ne nuk kemi qenë atje, ju e dini që ne nuk kishim asnjë lidhje me Rripin e Gazës që nga viti 2005. Dhe kur në vitin 2007, Hamasi përmbysi qeverinë e autoriteteve palestineze në Rripin e Gazës dhe pushtoi me dhunë Rripin e Gazës nga Autoriteti Palestinez, që atëherë, Izraeli ka vuajtur nga sulmet me raketa, nga sulmet e tjera, e kështu me radhë. Pra, pas këtij sulmi barbar që ata bënë kundër nesh më 7 tetor, mendoj se ne nuk do të pushojmë derisa aftësitë ushtarake të këtyre organizatave të shkatërrohen. Por kjo nuk do të thotë se ne po luftojmë popullin palestinez në tërësi, përkundrazi, dhe mendoj se është koha pasi të mbarojnë luftimet, të ulemi dhe të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme për rajonin, kështu që shpresojmë që të gjithë ne do të mund të jetojnë në paqe.

Radio Kosova: Por, zonja ambasadore, edhe në Gaza vriten civilët, vriten fëmijët?!

Tamar Ziv: E dini, nëse Hamasi do të shqetësohej për njerëzit e tij, numri i viktimave civile do të ishte shumë më i vogël. Ata pozicionojnë raketat e tyre, marrin vendime, shtabet e tyre vendosin instalimet e tyre ushtarake në xhami, në shkolla, nën instalimet e OKB-së. Ata përdorin popullin e Gazës si mburojë njerëzore. Pra, ata janë një organizatë krejtësisht cinike, jo vetëm që u përpoqën dhe po përpiqen të vrasin hebrenjtë dhe izraelitët, por nuk kanë parasysh popullin e tyre. Dhe është në interesin e tyre që të ketë një numër shumë të madh të viktimave civile, sepse kjo i shërben narratives së tyre. Në thelb, Hamasi për të gjitha këto ka përdorur të gjitha paratë që supozohej të mbërrinin në Rripin e Gazës, për të zhvilluar Rripin e Gazës, për të krijuar projekte zhvillimi e kështu me radhë. Ata i kanë marrë këto para dhe i kanë përdorur vetëm për të krijuar qytetin nëntokësor poshtë Gazës, për të blerë armë dhe të gjithë infrastrukturën terroriste që e kanë krijuar. Pra përgjegjësia për mirëqenien e popullit të Gazës është para së gjithash në duart e Hamasit. Sigurisht, ne po bëjmë çmos që të mos lëndojmë popullsinë civile. Mund t’ju them se ne po bëjmë një përpjekje shumë të madhe në mënyrë që të ketë sa më pak civilë të lënduar, sepse nuk është interesi ynë të lëndojmë asnjë civil.

Radio Kosova: Por në Gazë janë sulmuar edhe spitalet?

Tamar Ziv: Izraeli nuk ka bombarduar asnjë spital. Spitali që u bombardua u bë nga Hamasi, ishte një nga raketat e tyre që u kthyen kundër tyre dhe goditi spitalin. Unë mendoj se kjo u vërtetua dhe u dhanë prova për këtë në të gjithë botën. Mund t’i hidhni një sy. Nuk ishim ne. Ishin ata! Ne nuk synojmë spitalet. Ne nuk synojmë shkollat. Ne nuk synojmë vendet ku janë civilët dhe tani civilët janë nën mbrojtjen e OKB-së.

Të ngjashme