Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shprehur mjaft qartë për angazhimin e tyre ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës (BeH), thotë ambasadori amerikan në këtë vend, Michael Murphy një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjeve, qoftë kur bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sipas tij, sjellja e atyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane.
Ai gjithashtu thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj BeH-së është i përhershëm dhe se do të ruajë praninë e vetë ndërkombëtare dhe praninë ushtarake ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët ndërkombëtarë në Bosnje e Hercegovinë janë të shqetësuar për situatën aktuale politike. A e ndani ju këtë shqetësim?
Michael Murphy: Po, e ndajmë. Mendoj se nuk është sekret, do të thosha se është dukshme se Bosnje e Hercegovina nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe se kjo po ndodh tashmë për një periudhë të gjatë. Pra, nuk kalon asnjë ditë pa ndonjë retorikë të tmerrshme nga liderët politikë këtu, kërcënime për shkëputje, kërcënime për riorganizim territorial të vendit, apo retorikë luftënxitëse. Kjo është një mënyrë e tmerrshme, e papërgjegjshme për të drejtuar këtë vend.
Një problem tjetër është se ne nuk shohim përparim në reforma, nuk është bërë pothuajse asnjë përparim në reformat për afrimin me Bashkimin Evropian, asgjë nuk po bëhet për të zgjidhur problemet me të cilat përballet vendi, për shembull: inflacioni ose mungesa e mundshme e energjisë në të ardhmen. Të gjitha këto gjëra po injorohen dhe nuk është mirë për Bosnje e Hercegovinën dhe për qytetarët e saj.
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, të cilët shumë shpesh po largohen nga vendi, kryesisht për arsye sigurie. Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë?
Michael Murphy: Më lejoni të filloj përgjigjen duke thënë se njerëzit, duke u larguar nga vendi, e shprehin qëndrimin e tyre. Kjo është votimi i tyre. Vlerësohet se çdo vit nga vendi largohen nga 50 deri në 55 mijë njerëz. Disa prej tyre shkojnë për arsye ekonomike, disa për arsye politike. Unë e kuptoj, mund të kuptoj se pse dikush që dëshiron të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten, për familjen, për fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, dëshiron të largohet nga BeH-ja. Ky është impuls njerëzor. Dëshirojnë një jetë më të mirë për vete dhe për familjen. Të parët e mi e kanë lëshuar SHBA-në para më shumë se 100 vjetësh, pikërisht për arsye të tilla.
Tani problemi është më serioz për shkak të situatës së keqe politike dhe të sigurisë dhe fajin për këtë e kanë vetëm liderët politikë, të cilët i kanë vënë interesat e tyre të ngushta etno-nacionaliste dhe korruptive para nevojave të qytetarëve. Ndërkaq, njerëzve që i votuan u dhanë premtime, të cilat nuk i përmbushën.
Megjithatë, ekzistojnë disa gjëra optimiste, të cilat do t’i përmend. Para së gjithash, unë kam udhëtuar në të gjithë vendin – më parë kur isha këtu nga viti 2006 deri në 2009 – dhe udhëtoj edhe tani që jam këtu për herë të dytë. Pa marrë parasysh se ku shkoj, në Mostar, Banjallukë apo këtu në Sarajevë, vazhdimisht më impresionojnë njerëzit e këtij vendi, sepse ata e dinë saktë se ku dëshirojnë të shkojë ky vend. Ata janë rezistues, kanë frymë bashkëpunimi, e këtë e shoh te drejtuesit e rinj që shkojnë në SHBA për disa programe, e shoh këtë te sipërmarrësit, investitorët, gazetarët, studiuesit, aktivistët në luftën kundër korrupsionit. Këto janë gjëra të mira, pozitive dhe unë mendoj se këtë duhet ta kemi në mendje, sepse në këtë është edhe forca e këtij vendi.
Një gjë tjetër është se ju keni një mik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, neve na intereson Bosnje e Hercegovina dhe e tillë është situata për 25-30 vjet dhe kjo nuk ka ndryshuar. Ne gjithashtu duam të sigurojmë dhe mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të këtij vendi dhe jemi të gatshëm të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të këtij vendi. Kjo përfshin sanksionet, kur është e përshtatshme, siç ka thënë Antony Blinken [sekretari i Shtetit të SHBA-së] disa muaj më parë, se ne jemi të përkushtuar të qëndrojmë këtu, të mos largohemi nga Bosnje e Hercegovina.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe korrupsionin, i cili është një problem urgjent në Bosnje e Hercegovinë, në radhë të parë kam parasysh korrupsionin politik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë mjaft në luftën kundër korrupsionit në Kantonin e Sarajevës. Por, si ta çrrënjosim atë? Sipas indeksit të korrupsionit, Bosnje e Hercegovina është gati se në fund të rajonit (në luftimin e korrupsionit)?
Michael Murphy: përfundimisht, korrupsioni është problem i madh dhe serioz në Bosnje e Hercegovinë. Njerëzit shpesh më pyesin se çfarë ka ndryshuar në raport me qëndrimin tim këtu, para 13 vjetësh. Një nga ato ndryshime, fatkeqësisht, është se korrupsioni është shumë më i rëndë. Keni të drejtë, është një problem shumë i vështirë për t’u zhdukur dhe një problem i vështirë për t’u luftuar. Ne do të bëjmë ç’të mundemi, duke mbështetur zyrat për luftë kundër korrupsionit, duke mbështetur ndryshimet ligjore, duke mbështetur prokurorët dhe policinë, gazetarët hulumtues që kanë guximin dhe përkushtimin për të çrrënjosur këtë problem. Por, kjo është një luftë e gjatë dhe e vështirë, nuk do të ndodhë brenda një dite, një muaji apo një viti.
Ajo që po bëjmë dhe që duam t’u dërgojmë si sinjal liderëve politikë, është se do të jemi këmbëngulës, se nuk do të dorëzohemi. Këtë e them qartë në takimet me liderët politikë. Kjo është shumë e rëndësishme për SHBA-në dhe prandaj kemi përdorur sanksione për të luftuar korrupsionin, prandaj financojmë zyrat kundër korrupsionit, nuk do të ndalemi. Ka mossukses, por ne nuk do të ndalemi. Këmbëngulja është shumë e rëndësishme në këtë luftë.
Radio Evropa e Lirë: Disa prej liderëve politikë janë në listën e zezë amerikane, pikërisht për shkak të korrupsionit, por duket sikur ata nuk e kanë dert këtë. Disa prej tyre tashmë janë sërish në listat zgjedhore për zgjedhjet e këtij viti. A mendoni se institucionet e gjyqësorit mund të reagojnë më mirë në Bosnje e Hercegovinë?
Michael Murphy: Më lejoni që t’ia filloj nga fundi i pyetjes suaj lidhur me liderët politikë. Po, disa nga liderët janë në listat e zeza, disa nga ata liderë janë kandiduar për zgjedhje, por nuk do të duheshin. Por votuesit, në tetor, kanë mundësinë të vlerësojnë atë që kanë bërë ata deri tani. Nëse janë të kënaqur me punën e tyre, atëherë votojnë në përputhje me këtë, nëse jo, përsëri në përputhje me këtë. Një nga bukuritë e demokracisë është se qytetarët e vendit kanë çka të thonë, kanë mundësi çdo katër apo dy vjet, varësisht se për cilin cikël zgjedhor bëhet fjalë, të thonë, dua diçka ndryshe, nuk jam i kënaqur me atë që japin liderët politikë. Pra, kjo është mjaft e rëndësishme.
E dyta, çështja që lidhet me gjyqësorin. Po, ata mund ta bëjnë më mirë punën e tyre, shumë më mirë. Unë kam qenë në një ngjarje para disa javësh, nën patronazhin e Damir Arnautit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ku ata kanë prezantuar hulumtimin e tyre për punën e institucioneve të gjyqësorit, se ku punojnë mirë ose keq. Ata, me të vërtetë në mënyrë mbresëlënëse e bënë punën e tyre, një punë pozitive për Bosnje e Hercegovinën. Prandaj them se ka disa politikanë që kujdesen, ka politikanë që duan të mbështesin gjyqësorin, prokurorët dhe forcat e rendit për punën e tyre dhe kjo duhet të vazhdojë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë kështu, si me radhë: ne do t’i mbështesim ato lloj aktivitetesh edhe politikisht, duke qëndruar me njerëz që duan të bëjnë gjënë e duhur, por gjithashtu, siç e përmenda më herët, ne do të përdorim disa nga programet e asistencës për të punuar me prokurorët dhe gjyqtarët dhe nga ta do të kërkojmë përgjegjësi./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...