Aleati i Putinit, multimilioneri rus gjendet i vdekur në Moskë

23:42 | 26 Korrik 2023
E.H

Oligarku rus që zhvilloi spyware për vjedhjen e informacioneve personale të civilëve është miku më i fundit i presidentit rus, Vladimir Putinit që u gjet i vdekur në rrethana misterioze.

Anton Cherepennikov u gjet i vdekur në zyrën e tij në Moskë ndërsa dyshohet se pësoi sulm në zemër.

Megjithatë, policia ruse njoftoi se 40-vjeçari e kishte tepruar me “medikamente mjekësore”, raporton metro.co.uk.

“Cherepennikov mori drogë për qëllime mjekësore, por me sa duket e tejkaloi dozën e lejuar”, tha zyrtari që kërkoi të mbetet anonim.

Kompania e Cherepennikov ICS Holding, e themeluar në vitin 2018, ishte sanksionuar më parë nga Thesari i SHBA-së si ‘pronari i Citadel’, një formë e fuqishme e malware që ka infektuar mbi 11 milionë kompjuterë në mbarë botën dhe ka shkaktuar humbje prej mbi 451 milionë euro.

Është pretenduar se Byroja Federale e Sigurisë e Rusisë (FSB) përdori ICS Holdings për të kryer mbikëqyrje masive të qytetarëve rusë pas zbatimit të një ligji të vitit 2018, i cili kërkonte që kompanitë e internetit dhe telefonit të zbulonin komunikimet private dhe të dhënat e përdoruesve të tyre.

Cherepennikov ishte gjithashtu i përfshirë në zhvillimin e një sistemi të sofistikuar të njohjes së fytyrës dhe shërbeu në bordin e drejtorëve të operatorëve celularë Megafon dhe USM Telecom. /Telegrafi/

Të ngjashme