Teksa rriten mundësitë që presidenti aktual amerikan, Joe Biden, të garojë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, aleatët shohin me shqetësim drejt së ardhmes.
Shumë prej tyre shqetësohen se një mandat i dytë për Trumpin për të shkaktojë tërmet, dhe se disa tronditje veçse po vërehen.
Brenga e tyre kyçe është që SHBA-ja do të mund të bëhet më pak e besueshme, pavarësisht se kush fiton.
Me një elektorat të ndarë dhe një bllokadë në Kongres, presidenti i ardhshëm amerikan do të mund të shpenzojë shpejt energjitë në çështje të brendshme, ende pa nisur të merret me çështje tjera në botë, sikurse lufta në Ukrainë, apo ajo në Lindje të Mesme.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë së fundi se “prioritet i parë i Amerikës është vetvetja”.
Administrata e parë e Trumpit i ka testuar marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe aleatëve, sidomos në Evropë.
Trump nuk ka qenë edhe shumë miqësor me liderët e disa vendeve mike, sikurse ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe ish-kryeministren britanike, Theresa May, derisa ka folur këndshëm për liderët autoritarë, sikurse presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atë rus, Vladimir Putin.
Ai e ka quajtur “brilant” liderin kinez Xi Jinping, dhe si “lider fantastik”, kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Në fushatën që po zhvillon tani, Trump mbetet ende skeptik i organizatave sikurse NATO-ja, duke u ankuar shpesh për miliardat që ndan SHBA-ja për aleancën ushtarake, e cila ka ofruar ndihmë shumë të rëndësishme për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.
Ai ka thënë të shtunën që, sa ka qenë president, i ka paralajmëruar aleatet e NATO-s, se do ta inkurajonte Rusinë “të bëjë çfarë të ketë dëshirë” me vendet që nuk kanë ndarë fonde për aleancën veriatlantike.
Trump, po ashtu, ka shkruar në rrjetin e tij social se në të ardhmen, SHBA-ja duhet t’i japë fund praktikës së dhënies së ndihmës dhe ta zëvendësojë atë me kredi.
Biden, në anën tjetër, e ka kthyer ndihmën për Ukrainën në prioritet kyç.
Mirëpo qëndrimi i Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020 se “Amerika është rikthyer” në skenën botërore, nuk i ka prodhuar rezultatet e dëshiruara.
Republikanët në Kongres e kanë bllokuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën, derisa ndikimi amerikan nuk ka arritur të ndalë një konflikt në Lindje të Mesme.
Thomas Gift, drejtor i Qendrës për Politika amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës, ka thënë se kushdo që do të fitojë garën presidenciale, drejtimi do të jetë i njëjtë – një planet multipolar në të cilin SHBA-ja nuk është më “superfuqia botërore e padiskutueshme”.
Shumica e aleatëve përmbahen nga komentimi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve amerikane, duke thënë se u takon amerikanëve që ta zgjedhin liderin e tyre.
Ata janë të vetëdijshëm që do të duhet të punojnë me fituesin, ndonëse në prapavijë, disa prej tyre në qetësi janë duke krijuar lidhje me ekipet politike, ka thënë Richard Dalton, ish-diplomat i lartë britanik.
Shqetësimet më të mëdha për kredibilitetin e SHBA-së ekzistojnë në Evropë, pavarësisht se a do të fitojë Trumpi.
Disa zyrtarë evropianë kanë nisur të flasin hapur për nevojën e të shpenzuarit më shumë për aleancën, dhe të planifikojnë një NATO pa SHBA-në.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se ka biseduar në telefon për kohë të gjatë me kolegë të tij, duke iu kërkuar që të bëjnë më shumë për të mbështetur Ukrainën.
Gjermania është vendi i dytë në botë sa i përket ndarjes së ndihmës ushtarake për Kievin, pas SHBA-së, mirëpo Scholz ka thënë së fundi për gazetën Die Zeit se shteti i tij nuk do të mund të mbushë boshllëkun, “nëse SHBA-ja nuk do të ofrojë më ndihmë”.
Rusia, në anën tjetër, është e zënë duke i forcuar lidhjet me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, dhe duke tentuar të zvogëlojë sa më shumë ndihmën ndërkombëtare për Ukrainën.
Macron ka sugjeruar se vëmendja amerikane është e fokusuar larg prej Evropës.
Nëse prioriteti kyç i Uashingtonit është SHBA-ja, i dyti është Kina, ka thënë ai.
“Për këtë arsye e dua një Evropë më të fuqishme, që di si ta mbrojë veten dhe nuk varet prej tjerëve”, ka thënë Macron në një konferencë për media në janar.
Trump ka mbështetës në Evropë, sidomos popullsitë pro Rusisë, sikurse Orbani i Hungarisë.
Mirëpo, ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka çuditur shumë njerëz kur ka thënë së fundi se “presidenca e Trumpit mund të jetë pikërisht çka i duhet botës”.
Johnson është përkrahës i madh i Ukrainës, teksa kjo e fundit e lufton Rusinë, derisa Trump e ka lavdëruar disa herë Putinin dhe ka thënë se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve.
Megjithatë, Johnson ka thënë në një kolumnë se ai nuk beson që Trump do të hiqte dorë prej ukrainasve, mirëpo do t’i ndihmonte Ukrainës që ta fitonte luftën, duke e bërë Perëndimin më të fuqishëm dhe “botën më stabile”.
Bronwen Maddox, drejtore e institutit për çështje ndërkombëtare, Chathan House, ka thënë se argumentet sikurse ato, e nënvlerësojnë faktin se sa “destabilizues” ka qenë Trump, dhe sa do të mund të ishte, nëse fiton.
“Për ata që thonë se në mandatin e parë nuk i është bërë shumë dëm rendit ndërkombëtar, përgjigja jonë është se e nxori SHBA-në prej marrëveshjes bërthamore me Iranin. Puna që ka bërë më pas Irani, e ka kthyer atë në shtet me fuqi bërthamore”, ka thënë ajo.
Biden e ka kritikuar politikën e Trumpit për Iranin, mirëpo nuk ka arritur të ndërtojë ura me Teheranin, i cili vazhdon të forcojë muskujt në rajon.
Dalton, ish-ambasador britanik në Iran, beson se situata do të jetë edhe më e rëndë për Lindjen e Mesme, nëse zgjedhjet i fiton Trump.
“Asnjë administratë nuk do të bëjë përpjekje serioze për t’i zgjidhur dallimet me Iranin përmes diplomacisë”, ka thënë Dalton për The Associated Press.
“Ajo mundësi ka ikur kohë më parë”.
Ndërkohë, palestinezët dhe mbështetësit e tyre, i kërkojnë Bidenit që të kushtëzojë mbështetjen për Izraelin, pasi po rritet numri i viktimave civile.
Mirëpo, përkrahësit e linjës së ashpër në Izrael, besojnë se SHBA-ja veçse është duke e kufizuar shumë ofensivën e ushtrisë kundër Hamasit.
Itamar Ben-Gvir, ministri izraelit për Siguri Kombëtare, ka thënë së fundi se Biden nuk po i jep Izraelit “përkrahjen e plotë” dhe që nëse “Trump do të ishte në pushtet, qasja amerikane do të ishte krejtësisht ndryshe”.
Sikurse aleatët, as rivalët nuk janë duke folur hapur se çfarë rezultati do të dëshironin të shihnin në SHBA.
Trump ka zhvilluar raporte të mira me Erdoganin e Turqisë, duke e quajtur “mik shumë të mirë”, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, më 2019.
Megjithatë, marrëdhëniet SHBA-Turqi kanë qenë me tensione gjatë mandatit të tij.
Administrata Trump e ka larguar Turqinë prej projektit të saj për aeroplanët F-35, pas vendimit të Ankarasë për të blerë prej Rusisë sisteme raketore për mbrojtje.
Vetë Trump ishte kërcënuar me shkatërrim të ekonomisë së Turqisë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë në janar se ai nuk beson që do të ketë ndonjë dallim në mes të Trumpit apo Bidenit.
Sipas tij, lidhjet Rusi-SHBA kanë qenë në trend të rënies prej administratës së George W. Bushit.
Kina, me të cilën ngrohtësia fillestare mes liderëve, është shndërruar me tarifa ekonomike reciproke, ka ndryshuar pak qasje me Bidenin.
Zhao Minghao, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan në Shangai, ka thënë se për Kinën, dy kandidatët janë si “dy shishe helmi”.
Gift prej Kolegjit Universitar të Londrës, ka thënë se bota do të jetë më e përçarë, pavarësisht se kush fiton.
“Tashmë është një lloj realiteti”, ka thënë ai./rel/
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...
Fitimi, Sarës: Sa do kisha shanse me ty jashtë, nga 1 tek 10
Votuesit e regjistruar në Diasporë do të hiqen nga listat br...