Aleatët e NATO-s qëmoti kanë në pronësi mburoja raketore ruse

13:46 | 12 Qershor 2019
Arbresh.info

Të paktën tre vende anëtare të NATO-s kanë përdorur sisteme ruse për mbrojtje raketore gjatë viteve, edhe pse SHBA-të po bëjnë presion mbi Turqinë dhe Indinë që të tërhiqen nga blerja e pajisjeve të tilla, raporton Anadolu Agency (AA).

India ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë në tetor të vitit të kaluar pas bisedimeve gjithëpërfshirëse mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit të Indisë, Narendra Modi për të blerë sistemin për mbrojtje raketore S-400. Dorëzimi i sistemit është caktuar të fillojë në tetor të vitit 2020 dhe të përfundojë në prill të vitit 2023. Turqia, e cila filloi negociatat për blerje në vitin 2017, me gjasë do të pranojë dërgesën e parë në dy muajt në vijim.

Me Turqinë që është një aleat i NATO-s, ankesa kryesore e Uashingtonit zyrtar ndaj dorëzimit të planifikuar të sistemeve ruse është se ato nuk do të përputhen me pajisjet e NATO-s dhe se do të përbëjnë një kërcënim për avionët luftarakë F-35 të prodhuesit amerikan Lockheed Martin, për të cilët Turqia është një blerës dhe partner i mundshëm në zhvillimin dhe prodhimin e tyre.

Rusia deri më tani ka shitur versionin e mëparshëm të sistemit S-300 në 20 vende, duke përfshirë vendet anëtare të NATO-s, si Bullgaria, Greqia dhe Sllovakia. Raketat S-300 aktualisht janë një pjesë e integruar e mbrojtjes ajrore të Greqisë dhe po ashtu janë vendosur në Qipron Veriore.

Ekspertët besojnë se forcat e NATO-s dhe avionët e tyre janë të ekspozuar ndaj sistemeve të radarëve të vendosura në Greqi aq sa edhe mund të jenë nga mburoja e raketave të vendosura në Turqi.

Besohet se në vitin 1994 vetë SHBA-ja ka blerë sistem të mbrojtjes ajrore S-300 nga Bjellorusia. Megjithatë, The New York Times raportoi se kjo kishte për qëllim shqyrtimin e sistemit për të modernizuar mburojën e mbrojtjes ajrore Patriot.

Sistemi raketor S-400 Triumf u zhvillua nga Zyra Qendrore e Dizajnit e Rusisë “Almas” si një përmirësim i modelit S-300 dhe mban raketa sipërfaqësore ajrore të afta për të shënjestruar një mori avionësh nga distanca që variojnë nga 40 deri në 400 kilometra. Momentalisht, S-400 përshkruhet si sistemi më i mirë i mbrojtjes ajrore në botë.

– Përparësitë e sistemit S-400

Raketat S-400 janë të pajisura me sisteme të radarëve të nivelit të lartë, të cilat ofrojnë kërkime sektoriale dhe gjurmë të shkëlqyera me një stacion radar të lëvizshëm, që ka një distancë të zbulimit midis 65 dhe 1.200 kilometra dhe një kapacitet aktual maksimal të 100 shënjestrave.

Përderisa avionët luftarakë të gjeneratës së pestë të prodhuar nga SHBA-të, të tilla si F-35, ishin të dizajnuar për të depërtuar në sistemin S-400, besohet se avionët e tjerë të tillë si versionet F-16 dhe F-18 nuk janë të aftë për t’iu shmangur sistemit.

Operacionalisht, çdo batalion i sistemit S-400 përbëhet nga dy bateri me katër raketa secila për një total prej 40 lëshuesve në pesë regjimente, të mjaftueshme për të mbrojtur dy deri në tre qytete të mëdha. Ato janë të dizajnuara që të jenë në gjendje të shkatërrojnë të gjitha objektet ajrore, përfshirë avionët, helikopterët, raketat e lundrimit dhe ato balistike.

– Shpërndarjet ndërkombëtare të sistemit S-400

Rusia aktualisht ka pesë regjime të sistemit S-400 të shpërndara në të gjithë territorin e saj, dy në Moskë dhe nga një në Paqësor dhe në rrethet ushtarake Baltike dhe Jugore, me plane të mëtejshme për 28 regjime të tjera deri në vitin 2020, secila nga 2 ose 3 batalione me 4 sisteme, kryesisht në zonat detare dhe kufitare. Siria, Bjellorusia dhe Kina po ashtu kanë sisteme S-400.

Rusia disa vjet ka trajnuar personelin ushtarak kinez për përdorimin e sistemit të mbrojtjes ajrore. Kina ishte klienti i parë ndërkombëtar në vitin 2014, kur porosia u vendos me vlerë 3 miliardë dollarë.

Përderisa Turqia dhe India mbase janë në qendër të vëmendjes mediatike, aleatët e tjerë të SHBA-ve aktualisht po negociojnë me Moskën për harduerin, përfshirë Arabinë Saudite, Egjiptin, Irakun dhe Katarin. Në muajin shkurt të vitit 2017, Sergey Chemezov, drejtori ekzekutiv i kompanisë shtetërore që prodhon sistemin S-400 Rostec Corporation, deklaroi se Egjipti ishte i interesuar për sistemin e mbrojtjes ajrore S-400. Por, negociatat u vonuan për shkak të çështjeve financiare të Egjiptit.

– Raketat S-300 u shpërndanë në 17 vende, përfshirë aleatët e NATO-s

Versionin e mëparshëm të sistemit S-400, që përdor sistem identik radari, aktualisht e posedojnë 17 vende përfshirë Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë, të gjitha aleate të SHBA-ve. Ukraina, Algjeria, Armenia, Azerbajxhani, Egjipti, India, Irani, Kazakistani, Venezuela, Vietnami, Gjeorgjia, Moldavia, Turkmenistani dhe Uzbekistani po ashtu kanë sistemin S-300.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme