Google ADS

Akuzoi gjyqtarin Kavanaugh për ngacmim seksual

19:06 | 23 Shtator 2018
Arbresh.info

Komisioni i Senatit për Gjyqësorin dhe avokatët e gruas që ka akuzuar të emëruarin në Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, për sulm seksual, kanë arritur një marrëveshje fillestare. Pritet tashmë që zonja Christine Blasey Ford të dëshmojë përpara komisionit ditën e enjte.

Christine Blasey Ford, gruaja që e akuzon të emëruarin e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, për sulm seksual, ka pranuar të dëshmojë përpara Senatit për këtë çështje javën e ardhshme.

Kreu i Komisionit Juridik të Senatit, republikani Chuck Grassley, të premten i dha më tepër kohë zonjës Ford, që ajo të merrte një vendim nëse do të dëshmonte para Senatit për këtë çështje.

Christine Blasey Ford, e ka akuzuar zotin Kavanaugh për sulm seksual, kur ata ishin të dy adoleshentë në vitet 1980. Kavanaugh i ka mohuar akuzat.

Palët negociuan përmes telefonit dhe arritën dje një marrëveshje fillestare. Detajet e seancës ku do të paraqitet zonja Ford, pritet të diskutohen më tej.

Ndërkohë, gjatë një takimi të aktivistëve evangjelistë në Uashington, Nënpresidenti Mike Pence vlerësoi lart arritjet e gjykatësit Kavanaugh.

“Gjykatësi Brett Kavanaugh është një burrë me integritet, pa të meta dhe me një filozofi të sprovuar juridike. Në Gjykatën e Apelit të Distriktit të Kolumbias, ai ka shkruar mbi 300 opinione ligjore në favor të një qeverie të kufizuar, në favor të lirisë fetare dhe amendamentit të dytë të kushtetutës. Ai është një konservator që e interpreton kushtetutën siç është shkruar. Ai meriton respektin e çdo anëtari të Senatit amerikan”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Komisioni i Senatit i pati dhënë zonjës Ford kohë deri të premten që ajo të merrte një vendim nëse do të jepte dëshmi, por afati u shty edhe me një ditë.

Sipas gazetës “The Washington Post”, avokati i zonjës Ford i dërgoi një email komisionit në minutat e fundit të skadimit të afatit. /VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme