Një gjykatës në shtetin amerikan të Minesotës lejoi të enjten prokurorët të shtojnë akuzën për vrasje të gradës së tretë ndaj ish-policit, Derek Chauvin lidhur me vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd.
Gjykatësi Peter Cahill përmbushi kërkesën e prokurorëve për të shtuar akuzën pasi Gjykata e Apelit në Minesota, në një çështje tjetër që nuk kishte lidhje me vdekjen e zotit Floyd, krijoi precedent për të marrë në konsideratë një ndryshim të tillë. Gjykata e Lartë e Shtetit më pas hodhi poshtë përpjekjet e ekipit mbrojtës të zotit Chauvin për të bllokuar një ndryshim të tillë.
44-vjeçari Chauvin ishte akuzuar më parë për vrasje të gradës së dytë dhe për vrasje pa qëllim.
Disa ekspertë ligjorë thonë se ndryshimi i ri ndihmon prokurorët për t’i ofruar jurisë opsione për të deklaruar fajësinë për ish-policin.
Gjykatësi Cahill e hodhi poshtë dy herë akuzën për vrasje të gradës së tretë para vendimit të gjykatës së apelit. Ndërkaq, vazhdon për të tretën ditë procesi për zgjedhjen e jurisë në gjyqin e zotit Chavin.
Pesë anëtarë të jurisë janë konfirmuar që në ditën e dytë, pas pyetjeve të avokatëve dhe të Gjykatësit Cahill, i cili kishte caktuar një periudhë prej të paktën tre javësh për të përmbushur këtë proces.
Ish-polici Chauvin, i cili është i bardhë, akuzohet për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd, gjatë arrestit. Incidenti shkaktoi protesta që vazhduan prej muajsh në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në botë kundër abuzimit të pakicave nga policia.
46-vjeçari Floyd vdiq më 25 maj 2020 gjatë arrestit, pasi polici Chauvin i vuri gjurin në qafë dhe e mbajti të mbërthyer përtokë për afro nëntë minuta, ndërkohë që zoti Floyd përgjërohej se nuk merrte dot frymë.
Gjykatësi Cahill e hapi procesin e përzgjedhjes së jurisë megjithëse deri të enjten ishte e paqartë nëse zoti Chauvin do të përballej me akuzën për vrasje me qëllim të gradës së tretë. Prokurorët kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit në Minesota ta pezullonte procesin gjyqësor deri kur të ishte zgjidhur çështja e akuzës shtesë.
Përzgjedhja e 12 anëtarëve të jurisë mund të zgjasë deri tre javë. Nuk pritet që argumentet hapëse të fillojnë para datës 29 mars. Si rezultat i kufizimeve të vëna si rrjedhojë e pandemisë, anëtarët e jurisë do të qëndrojnë dy metra larg njëri-tjetrit në sallën e gjyqit.
Anëtarët e jurisë do të marrin me postë një pyetësor me 16 faqe lidhur me këtë çështje, që u kërkon të shprehin opinionin e tyre për punën e policisë, sistemin e drejtësisë penale dhe lëvizjet për ndryshim si lëvizja “Jetët e Afrikano-Amerikanëve janë me Vlerë”. Anëtarëve të jurisë u kërkohet të bëjnë të ditur çdo gjë që dinë për këtë çështje të diskutuar gjerësisht në media dhe shoqëri, përfshirë vdekjen e zotit Floyd, funeralin e tij të transmetuar përmes televizionit në shkallë vendi dhe protestat kundër dhunës policore që vazhduan për javë të tëra.
Pyetësori po ashtu i pyet kandidatët për anëtarë të jurisë nëse kanë marrë pjesë në protesta dhe nëse kanë mbajtur pankarta dhe çfarë mesazhi kanë përqafuar.
Gjatë procesit të përzgjedhjes së jurisë, prokurorët dhe avokati mbrojtës Eric Nelson po u bëjnë pyetje të shumta këtyre kandidatëve për pikëpamjet e tyre lidhur me këtë temë.
Gjykatësi Cahill i Gjykatës së Distriktit Hennepin ka kufizuar ndjeshëm numrin e personave që lejohen të ndjekin procesin gjyqësor në sallë, por si rezultat i interesimit të madh ai ka lejuar që gjyqi të transmetohet përmes televizionit. Kjo shënon të parën herë që një proces penal në shtetin Minesota transmetohet i plotë në televizion.
Dhjetëra dëshmitarë pritet të dëshmojnë në këtë rast, megjithëse nuk është e qartë nëse zoti Chauvin, me një karrierë 19 vjeçare në departamentin policor të Mineapolisit para se të pushohej pas vdekjes së zotit Floyd, do të dalë vetë për të dëshmuar.
Tre policët e tjerë që ishin në skenën e ngjarjes u shkarkuan gjithashtu. Gjyqi i tyre nuk pritet të fillojë para muajit gusht dhe ata mund të lirohen nga akuzat nëse zoti Chauvin shpallet i pafajshëm.
Dëshmitë në gjyqin e zotit Chauvin mund të zgjasin deri në fund të prillit dhe ka gjasa që juria të mos fillojë diskutimin e çështjes deri në fund të prillit ose në fillim të majit.
Prokurorët do të përpiqen të tregojnë se zoti Chauvin veproi në mënyrë të paarsyeshme duke e mbërthyer nën gju viktimën dhe se kontribuoi drejtpërdrejt në vdekjen e zotit Floyd, të cilin një pronar dyqani e akuzoi se kishte paguar me një kartmonedhë të falsifikuar prej 20 dollarësh. Nëse shpallet fajtor, zoti Chauvin mund të dënohet me burgim. Tre policët e tjerë që ndodheshin në skenë përballen me akuza për ndihmë dhe lejim të një akti që rezultoi në vdekje dhe vrasje me qëllim.
Avokati mbrojtës, Nelson ka thënë se zoti Chauvin nuk është fajtor, sepse ai veproi në vetëmbrojtje duke e vënë nën kontroll zotin Floyd dhe përdori forcë të arsyeshme dhe të autorizuar për një polic.
Gjithashtu, avokati Nelson pritet të argumentojë se zoti Floyd vdiq nga droga që i ishte zbuluar në gjak si dhe nga problemet ekzistuese të shëndetit, përfshirë probleme zemre.
Mjeku ligjor i komunës Hennepin, Andrew Baker e deklaroi vdekjen e zotit Floyd vrasje, duke thënë se shkaku ishte presioni në qafë. Por mjeku ligjor renditi gjithashtu problemet e zemrës, praninë e fentanilit, metamfetaminës dhe faktin që zoti Floyd kishte kaluar COVID-in, si “kushte të tjera me rëndësi”./VoA/
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...