Aktivistja e burgosur iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, ka bërë thirrje për bojkotim, si dhe “dënim kombëtar dhe global” të zgjedhjeve legjislative të muajit të ardhshëm në Iran.
Ajo e ka quajtur këtë “nevojë politike dhe detyrë morale”.
“Dënimi i zgjedhjeve të një regjimi despotik fetar nuk është vetëm lëvizje politike, por edhe detyrim moral për iranianët që e duan lirinë dhe kërkojnë drejtësi”, shkroi Mohammadi në rrjetet sociale më 24 shkurt.
Mohammadi e ka përshkruar në të kaluarën lidershipin klerikal të Irani si “kriminal” dhe ka qenë kritike e zëshme e kushteve në burgjet iraniane.
Në janar, një gjykatë iraniane ia zgjati Mohammadit dënimin me burgim për 15 muaj, për gjoja “përhapjen e propagandës” kundër Republikës Islamike gjatë kohës në burg.
Ky ishte dënimi i pestë ndaj 51-vjeçares prej marsit 2021 dhe i treti për veprimtarinë e saj në burg, ku po mbahet për gjoja veprimet e saj kundër sigurisë kombëtare dhe për propagandë kundër shtetit.
Në postimin e saj më 24 shkurt, Mohammadi i kritikoi autoritetet iraniane për “shtypje të pamëshirshme dhe brutale, për vrasjen e të rinjve në rrugë, për ekzekutime, si dhe për burgosjen dhe torturimin e burrave dhe grave”.
Një numër i figurave të rëndësishme iraniane jashtë vendit dhe disa aktivistë politikë dhe shoqërorë në Iran kanë bërë tashmë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 1 marsit.
Zyrtarët iranianë vazhdimisht i përjashtojnë një numër të madh të kandidatëve, të cilët janë kritikë të regjimit, nga garat zgjedhore.
“Largimi nga ky regjim fetar despotik është kërkesë kombëtare dhe mënyra e vetme për mbijetesën e Iranit, iranianëve dhe njerëzisë sonë”, tha ajo.
Zgjedhjet për Parlament, Majlis, janë caktuar për 1 mars bashkë me votimin për Asamblenë e Ekspertëve, por shumica e kandidatëve janë diskualifikuar tashmë.
Autoritetet iraniane e nisën një luftë brutale ndaj disidentëve pas protestave të mëdha gjithëkombëtare dhe trazirave që shpërthyen menjëherë pas vdekjes në paraburgim të studentes Mahsa Amini në shtator 2022.
Amini, 22-vjeçare, ishte arrestuar gjoja për shkelje të kodit të veshjes dhe, sipas dëshmitarëve, u rrah brutalisht nga e ashtuquajtura “policia e moralit”./rel
OBSH: Izraeli synon sistemin shëndetësor në Gaza
Në Shqipëri konfirmohen raste me Murtajën Afrikane të Derrav...
ATK-ja mblodhi gati 1 miliard euro të hyra sivjet, kontribuu...
Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QK...
Enis Bardhi po i bashkohet gjigantit kroat
Hovenier: Kosovë, gjithmonë do të kesh një vend të veçantë n...