Google ADS

Aksidenti me 21 viktima në Itali, dyshohet se shkak u bë shëndeti i shoferit

13:21 | 4 Tetor 2023
Arbresh

Pikëpyetje të shumta ngrihen mbi shkaqet e aksidentit tragjik të mbrëmjes së të martës në lagjen Mestre të Venecias, ku një autobus ra nga ura autostradale 10 metra e lartë që e lidh me zonën historike lagunore të qytetit dhe përfundoi mbi shinat e trenit duke shpërthyer në flakë.

21 persona që udhëtonin në të humbën jetën ndërsa 15 të tjerë u plagosën. Teksa pritet kqyrja e kamerave të sigurisë së zonës, dyshimi kryesor i hetuesve është se shoferi, i cili po ashtu humbi jetën në aksident, mund të jetë ndjerë keq dhe të ketë humbur vetëdijen.

Kjo pasi në vendin e ngjarjes nuk ka shenja frenimi. Përjashtohet mundësia e përgjumjes, pasi kolegët thanë se 40-vjeçari Alberto Ricoto kishte 7 vite që punonte me këtë linjë dhe ishte punonjës me eksperiencë.

Një tjetër pistë hetimesh është mundësia që autobusi të ketë pësuar defekt. Mjeti ishte i ri, elektrik dhe kishte pak kohë në përdorim.

Dyshime hidhen se bateritë mund t’i kenë marrë flakë që gjatë udhëtimit dhe kjo ka bllokuar sistemin e komandimit, duke e nxjerrë nga rruga. Këto dyshime kanë lindur nga disa dëshmitarë të cilët kanë parë mjetin të bënte lëvizje të pazakonta në rrugë.

Mes viktimave të tragjedisë janë edhe 2 fëmijë, njëri i sapolindur dhe tjetri 12 vjeç. Ndërsa mes të plagosurve 5 janë në gjendje të rëndë. Në autobus udhëtonin turistë të huaj, shumica ukrainas, gjermanë, austriakë e spanjollë që shkonin për të vizituar zonën historike të Venecias./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme