AI: Talibanët kanë vrarë dhe masakruar disa shiitë

13:16 | 20 Gusht 2021
A. B.

Organizata Ndërkombëtare Amnesty International (AI) tha se muajin e kaluar, militantët talibanë, kanë torturuar dhe “masakruar” brutalisht disa pjesëtarë të pakicës kryesisht shiite Hazara të Afganistanit.

Kjo sipas organizatës është një “tregues i tmerrshëm” që flet për sundimin e grupit militant sunit.

Në një raport të botuar më 19 gusht, Amnesty International tha se nëntë burra Hazara u vranë midis 4 dhe 6 korrikut në rrethin Malistan në provincën lindore të Ghaznit.

Organizata e të drejtave të njeriut me qendër në Londër citoi fshatarët të cilët kanë thënë se pas intensifikimit të luftimeve midis forcave qeveritare dhe talibanëve, ata ishin detyruar të iknin në male.

Pastaj, kur disa prej tyre u kthyen në fshatin Mundarakht për të siguruar ushqim, ata thanë se talibanët kishin plaçkitur shtëpitë e tyre dhe po e prisnin kthimin e tyre.

Disa burra që kaluan përmes Mundarakht gjatë rrugës për në shtëpi në një fshat të afërt gjithashtu u zunë në pritë.

Në total thuhet se gjashtë burra u qëlluan, disa në kokë dhe tre u torturuan për vdekje, duke përfshirë “një burrë që u mbyt me shallin e tij”.

Amnesty International tha se hulumtuesit e saj kishin shqyrtuar provat fotografike pas vrasjeve.

Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard tha se “brutaliteti gjakftohtë i këtyre vrasjeve sjellë në kujtesë veprimet e kaluara të talibanëve, dhe është një tregues i tmerrshëm i asaj që mund të sjellë sundimi taliban në Afganistan”.

Komuniteti Hazara është grupi i tretë më i madh etnik i Afganistanit.

Hazarët etnikë kryesisht praktikojnë islamin shiit dhe janë përballur me diskriminim dhe persekutim afatgjatë në Afganistanin kryesisht sunit.

Mijëra njerëz janë përpjekur të largohen nga Afganistani që kur militantët islamikë të linjës së ashpër e morën kontrollin e kryeqytetit Kabul më 15 gusht, duke bërë që të bie Qeveria e mbështetur nga Perëndimi. /Rel

Të ngjashme