Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka përshpejtuar procedurën për dëgjimin e argumentave verbale për padinë e ngritur nga kompania kineze ByteDance, në pronësi të së cilës është rrjeti social TikTok.
Kompania e ka paraqitur këtë padi ndaj një ligji të ri të Kongresit amerikan që do ta ndalonte këtë platformë të medias sociale, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara, është bërë pjesë e kulturës amerikane. Por pronësia e saj kineze dhe qasja e mundshme e Pekinit tek të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte atë.
Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë legjislacionin e ri.
“Mbroni të drejtat tuaja kushtetuese. Bëjini zërat tuaj të dëgjohen”, bëri thirrje Shou.
Nëse nuk ndryshon diçka nga një vendim i Gjykatës së Lartë, kompania kineze ByteDance, që zotëron TikTok-un, do të humbasë qasjen në tregun e saj më të madh më 19 janar, vëren profesori i juridikut në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein.
“Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin, dhe nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër – që dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjë – do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesori Rozenshtein.
Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit.
Por zoti Trump shprehu një ndryshim mendimi kohët e fundit, pasi videot e tij të fushatës gjatë zgjedhjeve patën rezultate të mira në TikTok.
“Më sollën një grafik dhe ishte një rekord. Ishte kaq i bukur për t’u parë. Dhe ndërsa e shikoja, thashë: ‘Ndoshta duhet ta mbajmë këtë për pak kohë’,” tha Trump.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon të premten apelimin e kompanisë së mediave sociale.
Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milionë përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.
“Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë”, thotë profesori Rozenshtein.
Investitori kanadez Kevin O’Leary thotë se e ka informuar Presidentin e zgjedhur Trump se është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të blerë aksionet amerikane të TikTok-ut, gjë që do ta shpëtonte atë nga ndalimi.
“Doja ta informoja atë dhe anëtarët e tjerë të kabinetit për atë që po bëjmë dhe se do të na duhet ndihma e tyre”, tha O’Leary për kanalin televiziv Fox News.
Presidenti i zgjedhur Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta pezullojë çështjen, në mënyrë që ai të mund të negociojë një shitje të platformës, pas inaugurimit të tij të dytë më 20 janar – një ditë pasi do të ketë hyrë në fuqi masa e ndalimit./VOA
Alarmi i Austin: Ukraina është në fije të perit
Nëse Kvaratskhelia shitet, Napoli do ta synojë Zhegrovën
Dalja e dhëmbëve të parë të bebes
Presidenti i Libanit: Nuk mund ta çarmatosim Hezbollahun
Driloni hap zemrën për Sarën: Mosha e saj nuk është problem ...
Raportohen pesë raste të reja me variantin e ri të virusit M...