Google ADS

Adoleshenti ‘vritet” nga 10 gr hashash, hidhet nga ballkoni

00:06 | 14 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Një 16-vjeçar humbi jetën në Lavagna, një qytet i vogël në periferi të Xhenovas, pasi u hodh nga ballkoni i apartamentit në katin e tretë të një pallati për ti shpëtuar kontrollit të policisë Financiare të Chiavarit.

Siç raportojnë mediat italiane, gjithçka nisi gjatë një kontrolli rutinë antidrogë para liceut të shkencave Giannelline në Chiavari, ku adoleshentit iu gjet në posedim një sasi e vogël hashashi, rreth 10 gram.

Kaq mjaftoi që policia të bënte shoqërimin e tij në banesën ku jetonte me prindërit në Piazza Torrino, në Lavagna, për të kryer një kontroll më të hollësishëm.

Dhe pikërisht brenda apartamentit do të mjaftonin pak sekonda për të ndodhur e gjithë tragjedia.

Ndërsa dy financierët po bisedonin me prindërit e tij, një familje e njohur në Lavagna, djali u ngjit në kangjellat e ballkonit dhe u hodh poshtë.

“Fluturimi” nga tre kate i shkaktoi atij plagë dhe dëmtime në disa pjesë të trupit.

Ai u transportua menjëherë me një ambulancë drejt Cogornos, nga ku e priste një helikopter për ta dërguar në spitalin San Martino në Xhenova.

Por për fat të keq ai ndërroi jetë gjatë udhëtimit me ambulancë.

Vdekja e të riut ka tronditur të gjithë banorët e zonës, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive.

Nuk dihen shkaqet që e kanë shtyrë 16 vjeçarin të hidhet nga ballkoni, pasi siç bën me dije policia gjatë kontrollit në banesë nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

Studenti sëbashku me familjen e tij gëzonin respektin e banorëve të zonës.

Një djalë i ri e përshkroi viktimën si ndër djemtë më të mirë, i zellshëm dhe shumë i sjellshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme