Më 20 janar, Presidenti Donald Trump shënoi vitin e tij të parë në detyrë.
Viti i parë i Presidentit Trump ishte plot ngjarje dhe shumë i ndryshëm nga çdo president tjetër në historinë politike amerikane të dekadave të fundit. Viti 2018 mund të ofrojë pak a shumë të njëjtën gjë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone na jep këtë vështrim.
Presidenti i 45-të i Amerikës e nisi me një fillim të guximshëm.
“Duke filluar nga kjo ditë do të jetë vetëm Amerika e para, Amerika e para,” tha ai.
Pa humbur kohë, ai filloi punën për të shfuqizuar urdhrat ekzekutivë të paraardhësit të tij Barak Obama dhe plotësoi vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë.
Fitorja e tij më e madhe, një ligj gjithëpërfshirës për shkurtimin e taksave erdhi në dhjetor, pas 11 muajsh në detyrë.
“Pra, ja ky këtu është ligji dhe ne jemi shumë krenarë që ia dolëm. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme për popullin amerikan; do të jetë fantastike për ekonominë,” tha Presidenti Trump.
Miratimi i ligjit për taksat mund të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor të këtij viti, thotë analisti John Fortier:
“Republikanët arritën ta miratojnë ligjin për taksat, një ligj i rëndësishëm. Kjo për ta ishte një arritje e madhe, që i ka vënë në udhë më të mirë”.
Viti i parë për Presidentin Trump ishte me shumë pengesa, siç ishte dështimi i përpjekjeve për të shfuqizuar ligjin shëndetësor të Presidentit Obama, shpërthimet e shumta në Twitter dhe, nganjëherë, retorika fyese, siç ishin komentet e fundit vulgare për Haitin dhe vendet afrikane.
Kjo nxiti zemërimin e demokratëve, si senatori Cory Booker:
“Këto fjalë nuk treten si mjegulla në ajër. Ato ngjisin, kthehen në helm dhe janë pasaportë për fanatizëm dhe urrejtje në vendin tonë”.
Stili polemik dhe ndonjëherë polarizues i zotit Trump vazhdon ta dëmtojë atë në sondazhe, pavarësisht nga ekonomia e fortë, thotë analisti John Hudak:
“Mendoj se njerëzit e gjykojnë zotin Trump nga shumë aspekte, jo thjesht nga ekonomia dhe kjo shpjegon vlerësimin e tij të ulët në sondazhe.”
Niveli historikisht i ulët i vlerësimit për presidentin Trump mund t’u japë dorë demokratëve të marrin më shumë vende në zgjedhjet e mesmandatit për Kongres, thotë analisti Larry Sabato.
“Kur vjen vala, uji të merr me vete dhe nuk bën dallim mes atyre që e identifikojnë veten me një president jopopullor dhe atyre që u përpoqën të mbajnë distancë me të.”
Për vitin 2018, zoti Trump shpreson se një ekonomi e fortë do të përmirësojë sondazhet në favor të tij.
Por, mundësia e humbjeve në zgjedhjet e nëntorit dhe hetimet për çështjen e Rusisë që nuk po njohin fund, mund ta bëjnë vitin e dytë të Presidentit Trump edhe më sfidues se i pari./VOA
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia