Administrata e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po e eliminon dallimin tradicional mes politikës së brendshme dhe politikës së jashtme kur bëhet fjalë për t’u përballur me kërcënimet ndaj sigurisë së vendit.
“Politika e jashtme është politikë e brendshme dhe politika e brendshme është politikë e jashtme,” i tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan një audiencë virtuale të premten.
“Duhet ta vendosim veten në një pozicion të fuqishëm që të jemi në gjendje të përballojmë sfidat me të cilat ndeshemi në të gjithë botën,” tha zoti Sullivan. “Tani për tani, sfida më urgjente e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara është vendosja e rregullit brenda vendit tonë”.
Në pamje të parë, qasja mund të duket e ngjashme me strategjinë e sigurisë kombëtare që ish-Presidenti Donald Trump shpalosi vetëm mbi tre vjet më parë, “Amerika e para “.
Por Sullivan e shpjegoi vendimin për të ndaluar kategorizimin e kërcënimeve si thjesht të huaja ose të brendshme si një domosdoshmëri – një pohim që shumë nga rreziqet me të cilat përballet administrata e re nuk njohin kufij.
“Po përballemi me një pandemi COVID-19 që vazhdon të godasë rëndë popullatën tonë,” tha ai. “Pa dyshim që po përballemi me efektet e krizës klimatike në çdo pjesë të vendit.”
Kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara
Këshilltari i sigurisë kombëtare, Sullivan tha gjithashtu se administrata e zotit Biden është e shqetësuar për mënyrën se si kundërshtarët e Amerikës po përdorin gjithnjë e më shumë si argument politikën e brendshme të Uashingtonit për të fituar terren në skenën globale.
“Kina në thelb po argumenton se modeli kinez është më i mirë se modeli amerikan,” tha ai. “Ata po flasin për mosfunksionim dhe ndasi në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se sistemi amerikan nuk funksionon, por ai kinez po.”
Zoti Sullivan gjithashtu argumentoi se forcimi i politikës së jashtme amerikane është thelbësore për t’u bërë ballë kërcënimeve të brendshme, të tilla si ekstremizmi i dhunshëm brenda vendit, në familje, që nuk janë të izoluara por si pjesë e prirjeve në të gjithë botën.
Ndryshe nga administrata e ish-presidentit Trump, e cila gjithnjë e më shumë kishte dobësuar lidhjet me aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara me qasjen e “Amerika e para”, zoti Sullivan tha gjithashtu se forcimi i aleancave do të jetë një përparësi kryesore si pjesë e qasjes së administratës së zotit Biden ndaj sigurisë kombëtare.
“Do të jemi më efektivë në çuarjen përpara të vizionit tonë për një shoqëri të lirë, të begatë dhe me baraza, nëse e bëjmë një gjë të tillë në krah të aleatëve dhe partnerëve tanë demokratikë,” tha ai.
“Të vetëm, ne përfaqësojmë rreth një të katërtën e ekonomisë së botës. Me aleatët dhe partnerët tanë në Evropë dhe Azi, përfaqësojmë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës,” argumentoi zoti Sullivan. “Kjo bën të mundur që zërat tona të jenë në unison kur të themi se do të mbështesim disa parime të caktuara përballë agresionit. ”
Pavarësisht nga këto dallime, zoti Sullivan tha se pikëpamja se cilat vende paraqesin kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara, nuk janë shumë të ndryshme nga ajo e administratës Trump, duke renditur Kinën, Rusinë dhe Iranin si disa nga sfidat më të mëdha.
Por ai tha se mënyra e trajtimit të këtyre kërcënimeve do të ishte e ndryshme.
Kina
Gjatë katër viteve në detyrë, retorika e ish-Presidentit Trump për Kinën varionte nga vlerësimet për Presidentin Kinez Xi Jinping në kritika ndaj Pekinit për përhapjen e koronavirusit dhe për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Por vetë zoti Trump nuk e ngriti zërin shumë për çështje të tjera, përfshirë goditjen e Kinës ndaj avokatëve pro-demokracisë në Hong Kong.
Zoti Sullivan tha të premten se SHBA duhet të flasin me “qartësi dhe qëndrueshmëri” për çështjet që përfshijnë Kinën dhe “të imponojnë pasoja ” për veprimet e Pekinit kundër Ujgurëve në Xinjiang, shtypjen në Hong Kong dhe kërcënimet e saj të vazhdueshme ndaj Tajvanit.
Qasja e administratës së zotit Biden ndaj Kinës, deri më tani, është vlerësuar nga të paktën një ish-zyrtar i administratës së zotit Trump.
Duke folur në të njëjtin aktivitet virtual, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien tha se Shtëpia e re e Bardhë kishte shënuar “një fillim të shkëlqyeshëm lidhur me Kinën.”
Rusia
Kritikët e administratës së mëparshme, ishin ankuar vazhdimisht se zoti Trump kishte refuzuar t’i kërkonte llogari Rusisë për një sërë veprimesh, nga ndërhyrja në zgjedhje tek pretendimet se Kremlini kishte ofruar shpërblime në Afganistan për vrasjen e trupave amerikane atje. Ata kishin kritikuar gjithashtu administratën e zotit Trump se kishte lejuar skadimin e traktateve kryesore me Rusinë, pa fituar asgjë.
Në të kundërt, zoti Sullivan tha se Presidenti Biden po ndjek një qasje praktike “të kthjellët dhe të fuqishme” në marrëdhëniet me Rusinë, duke e quajtur ofertën e Shtëpisë së Bardhë për të zgjatur afatin e traktatit të ri START për pesë vjet, vetëm një pikënisje.
“Ky nuk është fundi,” tha zoti Sullivan. “Është fillimi i një marrëdhënieje me negociata serioze të qendrueshme rreth një numri sfidash dhe kërcënimesh bërthamore.”
Zoti Sullivan, ashtu si zyrtarë të tjerë të administratës së presidentit Biden, tha gjithashtu se Uashingtoni do të kërkojë llogari nga Rusia për veprime të tjera të papranueshme, nga ndërhyrjet në zgjedhje e deri tek sulmi kibernetik ndaj kompanisë SolarWinds.
Irani
Disa nga kritikat më të theksuara të këshilltarit të sigurisë kombëtare për zotit Trump, kishin të bënin me Iranin, duke akuzuar ish-administratën se kishte lejuar Teheranit të bëhet një kërcënim më i madh, duke u tërhequr nga e ashtuquajtura Marrëveshja Bërthamore iraniane.
“Programi bërthamor i Iranit ka përparuar në mënyrë dramatike gjatë dy viteve të fundit,” tha ai të Premten. “Ata janë dukshëm më pranë një arme bërthamore sesa ishin kur administrata e mëparshme u tërhoq nga marrëveshja.”
Zoti Sullivan tha gjithashtu se fushata e administratës Trump për “presionin maksimal” kishte dështuar të frenonte Teheranin nga mbështetja për terrorizmin dhe veprimtaritë e tjera keqdashëse.
“Nëse mund t’i rikthehemi diplomacisë që mund ta frenojë programin bërthamor të Iranit, kjo do të krijonte një platformë mbi të cilën të ndërtojmë një përpjekje globale, përfshirë partnerët dhe aleatët në rajon dhe në Evropë dhe gjetiu për t’u përballur me rreziqe të tjera të rëndësishme “, tha ai.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e Iranit në maj 2018. Zoti Trump në atë kohë, tha se marrëveshja “as nuk solli dhe as nuk do të sjellë kurrë qetësi dhe paqe”, duke shtuar se “Amerika nuk do të bëhet peng i shantazheve bërthamore “.
Përkundrazi, zoti Trump vendosi një serë sanksionesh kundër qeverisë së Teheranit për aktivitetin bërthamor, programet e zhvillimit të raketave dhe për mbështetjen ndaj terrorizmit./VoA/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...