Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit po mbrojnë vendimet për të kryer një analizë të hollësishme të rreziqeve që paraqesin ekstremistët e brendshëm në Shtetet e Bashkuara, duke hedhur poshtë kritikat se këto masa janë një provë politike.
Zemërimi lidhur me përpjekjet e reja për të shqyrtuar ekstremizmin e brendshëm pas sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit është rritur ditët e fundit, i nxitur nga një vendim i Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin për të urdhëruar një ndërprerje të aktiviteteve të tjera ushtarake për të analizuar se sa i përhapur është ky problem.
Administrata e zotit Biden i hodhi poshtë kritikat të premten, duke këmbëngulur se askush nuk po përpiqet të shkelë të drejtën kushtetuese për lirinë e shprehjes.
“Ne nuk po i gjykojmë njerëzit bazuar në përkatësinë apo bindjet e tyre politike ose lirinë e shprehjes ose aktivitetet e tyre politike të mbrojtura me kushtetutë,” u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës të premten vonë pa u identifikuar duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temës.
“Ne duam të shmangim dhunën”, tha ai.
Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes gjithashtu hodhi poshtë pretendimet.
“Argumenti se kjo përbën një lloj prove politike, është absolutisht i pabazuar dhe i pavërtetë,” tha sekretari i shtypit të Pentagonit, John Kirby gjatë një conference me median të premten.
“Ne i inkurajojmë trupat tona të votojnë. Ne i inkurajojmë të regjistrohen në partinë politike që preferojnë,” shtoi zoti Kirby. “Por cilido qoftë motivimi, kur shkel rregullin dhe disiplinën , kur shkel kodin e uniformës, kjo përbën problem.”
Disa nga kritikat më të theksuara dhe publike kanë ardhur nga anëtarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve, Lauren Boebert, një ligjvënëse republikane nga Kolorado, e cila shkruante në Twitter se vperimi i Departamentit të Mbrojtjes nuk është “asgjë tjetër veçse një provë politike e burrave dhe grave tona të guximshme “.
“Është e turpshme dhe e rrezikshme të përdorësh ushtarët që rrezikojnë jetën e tyre për Amerikën si peng politik,” shtoi ajo.
Sekretari i Mbrojtjes, Austin urdhëroi të mërkurën një pauzë në operacionet ushtarake për t’u dhënë udhëheqësve të shërbimeve ushtarake një shans për të biseduar mbi përhapjen e ideologjisë ekstremiste dhe ndikimin që ka ajo mbi ushtarakët.
Në një dokument të lëshuar të premten vonë, Departamenti i Mbrojtjes tha se çdo shërbim ushtarak do të bënte një pauzë gjatë 60 ditëve të ardhshme, megjithëse pauza mund zgjatet “nëse është e nevojshme sipas natyrës operacionale të njësisë.”
“Udhëheqësit kanë autoritetin të përshtasin diskutimet me personelin e tyre sipas nevojës, por këto diskutime duhet të përfshijnë rëndësinë e betimit që kemi bërë; një përshkrim të sjelljeve të palejueshme; dhe procedurat për raportimin e qëndrimeve ekstremiste që janë shfaqur ose dyshohet se mund të kryhen,” shkruante Sekretari Austin, duke e quajtur këtë pauzë vetëm fillimin e “një përpjekjeje që duhet të jetë e përbashkët”.
“[Kjo] fatkeqësisht nuk është një çështje me të cilën nuk jemi përballur ose të cilën nuk jemi përpjekur ta trajtojmë në të kaluarën,” tha zoti Kirby të premten në lidhje me nevojën e Pentagonit për të konfrontuar ideologjinë ekstremiste.
“Ngjarjet e 6 janarit e përforcuan idenë se ajo është akoma e pranishme, mbetet ende problem,” shtoi ai.
Nga 181 individë të akuzuar në rrethimin e Kapitolit të SHBA, 20 kishin një lloj lidhjeje me ushtrinë, sipas një vlerësimi të Programit për Ekstremizmin në Universitetin George Washington.
Për më tepër, nga 143 hetime të hapura nga Byroja Federale e Hetimit ndaj pjesëtarëve aktualë dhe ish-pjestarëve të ushtrisë vitin e kaluar, 68 ishin për shkak të shqetësimeve në lidhje me ekstremizmin e brendshëm, sipas zyrtarëve të mbrojtjes.
Në një intervistë të premten, admirali i lartë i Marinës Amerikane paralajmëroi se ekstremistët e brendshëm po përpiqen në mënyrë aktive të bëjnë për vete ish-pjesëtarë të ushtrisë.
“Ne kemi përgjegjësinë të edukojmë ata që po bëhen gati të dalin nga ushtria se do të ketë përpjekje nga këta njerëz për t’i rekrutuar ata dhe se duhet të jenë të vetëdijshëm se do të marrin mesazhe për këtë qëllim me email apo përmes mediave sociale”, tha Shefi i Operacioneve të Marinës, Admiral Mike Gilday për “Breaking Defense”, një publikim lajmesh për ushtrinë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Badhë e kanë përshkruar përpjekjen e tyre për të krijuar një ide më të qartë për kërcënimin që paraqet ekstremizmi brenda vendit, si më të gjerë, duke përmendur të dhëna që tregojnë se FBI po kryen mesatarisht rreth 1000 hetime për terrorizmin e brendshëm çdo vit.
“Puna jonë në këtë drejtim sapo ka filluar,” tha zyrtari i lartë i administratës, duke shprehur shpresën se analiza fillestare mbi përmasat e ekstremizmit brenda vendit do të përfundojë në tre muajt e ardhshëm.
“Në varësi të asaj që del nga kjo analizë, do të duhet të përballemi me pyetjen nëse do të duhet personel apo fonde shtesë për organet e rendit”, shtoi zyrtari.
Sipas ekspertëve dhe zyrtarëve të antiterrorizmit çështja ndërlikohet pasi media sociale ka lejuar ekstremistët në Shtetet e Bashkuara të komunikojnë me njerëz me të njëjtën ideologji në të gjithë botën.
“Është një temë me interes akut,” tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar “potencialin për lidhje me rrjete të huaja, organizata të huaja, fonde të huaja e kështu me radhë”./VoA/
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...