Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi këtë javë se ndasitë mes demokracisë dhe autoritarizmit në Evropë po kthehen në një “luftë civile”.
Në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg, ku ai parashtroi vizionin e tij për një Bashkim Evropian të reformuar, Presidenti Macron i bëri thirrje bllokut që t’i rezistojë këngës së sirenës së populizmit.
“Ka një magjepsje me iliberalizmin që po rritet vazhdimisht”.
Komentet e zotit Macron vijnë pasi populistët euroskeptikë fituan zgjedhjet në Hungari dhe Itali dhe Brukseli përballet qeverinë e djathtë polake lidhur me shtetin ligjor.
“Nuk dua të lejoj që ky iluzion i turpshëm që ka çuar kontinentin tonë buzë humnerës, të hedhë rrënjë: Iluzioni i pushtetit të fuqishëm, i nacionalizmit, i heqjes dorë nga liritë. E refuzoj idenë që po përhapet në Evropë se demokracia do të bëhet e pafuqishme. Përballë autoritarizmit që na rrethon ngado, përgjigjia nuk është demokraci autoritare por autoriteti i demokracisë”, tha ai.
Në të dyja anët e Atlantikut po flitet shpesh për rreziqet e iliberalizmit dhe autokracisë, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe se çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e kontinentit.
Në Uashington, analistë evropianë dhe amerikanë folën për këto rreziqe në një diskutim në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, por ofruan një tablo më me nuanca.
Democraci iliberale apo populizëm?
Kryeministri populist hungarez, Viktor Orban, partia e të cilit Fidesz dhe aleatët e saj siguruan një fitore të thellë këtë muaj, e parashtroi vizionin e tij për liberalizmin në vitin 2014.
“Një demokraci nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht liberale. Edhe nëse diçka nuk është liberale, nuk do të thotë që nuk është demokraci”, citohet të ketë thënë zoti Orban.
Radek Sikorski, ish-ministër i jashtëm i Polonisë thotë se ndërsa pa dyshim që mund të ketë edhe demokraci kur joliberalët fitojnë, populistët janë ndryshe sepse propozojnë zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse dhe gjithmonë duan të identifikojnë armiq.
“Kundërshtarët e tyre, rivalët e tyre për pushtet nuk janë thjesht konkurrentë, janë gjithmonë armiq, janë djallëzorë dhe me këtë interpretim, janë anti-pluralistë dhe kjo i bën populistët iliberalë”, tha ai.
“Që të fitojnë, populistët duhet të përqenrohen fillimisht tek një temë që është popullore dhe atë bënë. U përqendruan tek një çështje që ishte në vëmendjen e gjithë opinionit publik në Evropë: Imigracioni”, vazhdon ai.
Ish-Ministri i Jashtëm polak, përmend gjithashtu edhe rrogat e ulëta dhe përdorimin e identitetit kulturor si metoda për tërheqjen e votuesve në Poloni. Ai thotë se kur institucionet demokratike gërryhen dhe vendosen nën kontrollin partiak, vjen një pikë kur është e vështirë të kesh zgjedhje konkurruese.
Charles Gati, profesor i studimeve Evropiane dhe Euroaziatike në Fakultetit të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins”, thotë se shumica e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore që janë pranuar në Bashkimin Evropianë janë të rrugë të mbarë.
“Kur bëhet fjalë për Hungarinë dhe Poloninë dhe ndoshta Bullgarinë nuk më pëlqen të përdor shprehjen ‘kanë bërë hapa prapa’. Mendoj se duhet të kuptojmë që ato nuk janë demokraci që po bëjnë hapa prapa, janë regjime autoritare dhe gjysmë-autoritare që ruajnë fasadën e proceseve demokratike”, thotë ai.
Heather Conley, e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se faktorë të tjerë janë pabarazia, pakënaqësitë historike dhe korrupsioni.
“Opozita e dobët e shoqëruar me politika dhe struktura që me qëllim dobësojnë opozitën, për mua janë tiparet e kësaj prirjeje drejt iliberalizmit”, thotë ajo.
Disa thonë se është e pamundur të parashikohet se kur do të jetë fundi demokracisë iliberale të kryeministrit hungarez Orban dhe se kjo formë autoritarizmi ka lindur brenda vetë kornizës demokratike.
Prirje Evropiano-Qendrore apo Globale?
Por Gati, autor i librit “Iluzione të dështuara: Moska, Uashingtoni, Budapesti dhe Revolta humgareze e 1956-ës”, parashikon se në mungesë të presionit ndërkombëtar, regjimi i kryeministrit Viktor Orban do të vazhdojë në Hungari.
“Sepse opozita është e dobët, e përçarë, nuk ka fonde të mjaftueshme, nuk ka qasje tek shtypi, veçanërisht në zonat rurale”.
Në kontekstin më të gjerë të Evropës Qendrore, Sikorski se nuk duhen vënë etiketa rajonale.
“Kjo nuk është një dukuri e Evropës Qendrore. Është një dukuri gjithë perëndimore”.
Dhe numri i fundit i revistës “Foreign Affairs”, shtron në kopertinë pyetjen “A po vdes demokracia? – Një raport Global”, ku analizohet jo vetëm Evropa, por edhe Shtetet e Bashkuara, Kina dhe vende të tjera.
David Frum, redakor në revistën “Atlantic”, thotë se është e rëndësishme që të mos krijohen konfuzione nga kujtesa e rasteve flagrante të dështimit të demokracisë në histori, si Italia dhe Gjermania.
“Mendoj se është më e dobishme ta shohim demokracinë moderne si një llampë drita e së cilës bëhet më e shndritshme ose më e zbehtë, sesa që ndizet ose fiket”.
Ai thotë se është e mundur të kesh një demokraci funksionale siç kishin Shtetet e Bashkuara në vitet 1930 dhe njëkohësisht t’u mohosh votën miliona njerëzve, mbi bazën e ngjyrës së lëkurës.
“Nëse është e mundur të bëhesh demokraci liberale në një drejtim, mund të bëhesh gradualisht një demokraci më pak liberale, pa arritur në pikën e përmbysjes së shtetit”, thotë ai.
Pasoja më të gjera
Por zoti Sikorski ngre shqetësimin se prirjet joliberale në vendet ish-komuniste mund të kenë pasoja më të gjera.
“Mendoj se fatkeqësisht dënimi që ne Evropa Qendrore po i imponojmë vetes me këtë largim nga standartet demokratike, është se kemi rizgjuar disa stereotipe të rajonit që pothuajse ishin zhdukur dhe kemi kontribuar në mungesën e vullnetit të Evropën Perëndimore për të konsideruar mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në Lindje”.
Ndërsa 10 vjet më parë, ai thotë se anëtarësimi i Ukrainës në vitin 2020 ishte i përfytyrueshëm, sot nuk është më.
“Për shkak të asaj që ndodhi në Ukrainë, por edhe sepse dëshira për zgjerim, për sjelljen e më shumë problemeve, siç shihet në Evropën Perëndimore, është zbehur dhe ky është ndëshkimi i vërtetë”.
A mund të kthehet mbrapsht kjo prirje?
Në të njëjtën kohë kur Presidenti Macron paralajmëronte për iliberalizmin, në një letër të hapur për Kancelaren gjermane, Angela Merkel, akademikë, shkrimtarë dhe aktivistë, e kritikonin atë se nuk e kishte ngritur zërin kundër Orbanit për demokracinë hungareze.
Por zoti Sikorski thotë se Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë shumë sepse e gjithë konfederata është e bazuar në idenë e besimit reciprok mes institucioneve të vendeve individuale.
“Nëse ky mekanizëm i besimit thyhet, atëherë pasojat janë shumë të thella për të gjithë Bashkimin”.
Megjithatë Profesor Gati thotë se botës nuk po i vjen fundi.
“Ajo që sheh në Poloni, në Francë dhe në Angli, ajo që sheh në Shtetet e Bashkuara është dallimi i thellë mes qyteteve të mëdha dhe zonave rurale”.
E megjithëse hungarezët protestuan në masë fundjavën e kaluar kundër atij që e quajtën sistem të padrejtë zgjedhjesh që i dha Orbanit një tjetër fitore, ai thotë se iliberalizmi në Hungari duhet luftuar në kutinë e votimit.
“Mendoj se është e mundur që vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore, opoizta do të fitojë në Budapest”.
Dhe zoti Frum thotë se nuk duhet të konsiderohet patologjike ajo që po ndodh në Evropën Qendrore dhe dhe Lindore.
“Është një grip që ka rënë në rajon, diku është më i rëndë se diku tjetër dhe disa kanë imunitet më të dobët se të tjerë, por duhet të kuptohet se të gjithë na ka zënë i njëjti grip”.
Por qoftë grip, apo epidemi, një gjë është e sigurt: Nuk ka ende kura të qarta./VoA/
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje