Google ADS

A mund ta shmangë Biden falimentimin përmes Amendamentit 14?

07:55 | 9 Maj 2023
E.H

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thirrur në takim më 9 maj udhëheqësit e Kongresit amerikan për të biseduar për rritjen e tavanit të borxhit.

Kongresi amerikan është i ndarë dhe nuk ka ngelur shumë kohë për të rritur tavanin e borxhit të Qeverisë federale në vlerë prej 31.4 trilionë dollarësh, me Departamentin e Thesarit që ka paralajmëruar se mund të mbesë pa para deri më 1 qershor.

Nëse Kongresi dështon të veprojë, disa ekspertë thonë se presidenti Biden mund të ketë edhe një opsion për të shmangur krizën: të përdorë Amendamentin 14 të Kushtetutës amerikane që të sigurohet që SHBA-ja të vazhdojë të paguajë faturat.

Çfarë thotë Amendamenti i 14-të?

Neni katër i Amendamentit 14, i miratuar pas Luftës Civile të viteve 1861-1865, thotë se “vlefshmëria e borxhit publik të Shteteve të Bashkuara… nuk duhet të vihet në dyshim”.

Historianët thonë se ky amendament synon të sigurojë që Qeveria federale të mos mohojë borxhet e saj, sikurse disa ish-konfederata kishin bërë.

Por, kjo klauzolë gjerësisht nuk është adresuar nga gjykatat dhe ekspertët ligjorë nuk pajtohen se çfarë ajo kërkon nga Kongresi dhe Presidenca.

Disa, sikurse profesori i juridikut në Universitetin Cornell, Michael Dorf, thonë se opsioni “më pak antikushtetues” do të ishte që Biden të vepronte vetë për të mbrojtur integritetin e borxhit kombëtar.

“Kjo nënkupton huazimin e parave”, tha ai.

Çdo veprim që mund të ndërmarrë Biden, ka të ngjarë që të nxisë inicimin e procedurave ligjore.

Kush mund të ngre padi për tavanin e borxhit?

Nuk është e qartë se kush do të mund të ngre një çështje të tillë ligjore. Mund të jetë e vështirë për çdo paditës që të dëshmojë se janë dëmtuar nga ndonjë veprim.

Një vendim i Gjykatës Supreme amerikane i vitit 1997 tha se ligjvënës të vetëm nuk mund të iniciojnë padi të tilla, por Kongresi potencialisht mund të votojë për të thënë se është dëmtuar në mënyrë kolektive.

Gjykata Supreme, po ashtu, mund të zgjedhë që të dëgjojë ndonjë sfidë ligjore me qëllim që të zgjidhë shpejt çështjen, ashtu siç ka bërë me vendimin e Bidenit për të anuluar 430 miliardë dollarë borxhe të studentëve.

Por, një rast i tillë do të bëhej në një territor të pashkelur ligjor.

Gjykata Supreme ka vendosur vetëm një herë për klauzolën e borxhit publik, kur më 1935 ishte sfiduar vendimi i presidentit demokrat, Franklin Roosevelt, për të hequr SHBA-në nga standardi i arit [një sistem ku shtetet rregullonin vlerën e monedhave të tyre kombëtare në bazë të një sasie specifike të arit].

Gjykata kishte vendosur se pala paditëse, një pronar i letrave me vlerë, nuk kishte bazë për të ngritur një çështje të tillë ligjore.

Biden dhe Kongresi, ndërkohë, do të jenë nën presion të madh për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt që të munden, që nënkupton se çdo rast ligjor mund të bëhet i parëndësishëm ende para arritur para ndonjë gjykate.

Cili është qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë për Amendamentin 14?

Herët e fundit kur kjo çështje u aktualizua në Uashington ishte më 2011 dhe 2013, kur zyrtarë të lartë demokratikë, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton, i bënë thirrje presidentit të atëhershëm, Barack Obama, që të përdorte Amendamentin 14.

Por, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kishin argumentuar se nuk besonin se kishin autoritetin ligjor për të bërë një gjë të tillë.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, kishe deklaruar më 2021 se përdorimi i Amendamentit 14 nuk ishte opsion, dhe se disa nga këshilltarët e ish-presidentit Obama, sikurse Gene Sperling, tani punojnë në Shtëpinë e Bardhë në administratën e Bidenit.

Zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment lidhur me këtë çështje.

Si do të reagonin tregjet nëse Biden do të përdorte Amendamentin 14?

Zyrtarët e administratës dhe ekonomistët kanë paralajmëruar se një falimentim, i nxitur nga tejkalimi i tavanit të borxhit do të trondiste sistemin financiar dhe do ta fuste SHBA-në në recesion.

Ky rezultat katastrofal mund të shmanget nëse Biden do të përdorte Amendamentin 14.

Megjithatë, investitorët do të mund të trembeshin nga e gjithë ajo dramë dhe të kërkonin norma më të larta të interesit, që do të reflektonin në rritjen e rrezikut derisa paqartësitë ligjore të zgjidheshin.

“Ky është një rrezik mjaft i madh që do të ndërmerrte presidenti”, tha Mark Zandi, shefi i ekonomistëve në Moody Analytics. “Por, ndoshta ky është opsioni më i mirë për të nëse futeni në atë skenar”./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme