900 mijë shtëpi pa energji, anulohen mbi 130 fluturime

16:31 | 9 Shtator 2019
Arbresh.info

Japonia dhe gadishulli korean janë goditur nga dy tajfune me fuqi shkatërruese të madhe, të cilat kanë lënë të paktën gjashtë të vdekur. Erërat e fuqishme po zhvendosen tani në oqean ose drejt Kinës por e kanë humbur forcën e tyre.

Japonia u godit të hënën nga një prej tajfuneve më të forta të regjistruara këto vitet e fundit.

Erërat e vrullshme që arritën shpejtësi rekord mbi 200 kilometra në orë, të shoqëruara me shtrëngata, vranë të paktën një person dhe kanë lënë mbi 30 të plagosur.

Gruaja në të pesëdhjetat u gjet e vdekur në një rrugë të kryeqytetit, pasi u përplas kundër një ndërtese nga fuqia e erës.

Tajfuni me emrin “Faksai” shpërtheu në lindje të Tokios në orët e para të ditës dhe deri tani ka detyruar anulimin e qindra fluturimeve dhe linjave hekurudhore, si edhe ka lënë 900 mijë shtëpi pa energji.

Cikloni tropikal po kthehet drejt Oqeanit Paqësor por sërish ekziston rreziku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës.

Vetëm pak orë më herët, një fenomen i ngjashëm natyror goditi gadishullin korean, duke i marrë jetën të paktën 5 personave.

Agjencia koreanoveriore e lajmeve raportoi se është përmbytur një sipërfaqe prej 46 mijë hektarë tokë bujqësore.

Udhëheqësi i vendit, Kim Xhong-un, mbajti të premten një mbledhje urgjente duke kritikuar zyrtarët e vendit se nuk ishin përgatitur sa duhet për të mbrojtur të mbjellat apo hidrocentralet kundër tajfunit. /oranews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme